Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se subjekti që ai drejton ka shënuar rritjen më të madhe ndër partitë politike në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Në një konferencë për media, Abdixhiku tha se rezultati i arritur është produkt i një bashkimi të gjerë politik dhe qytetar, si dhe i një fryme të re të ndërtuar gjatë fushatës zgjedhore, në bashkëpunim edhe me Vjosa Osmanin.


“Ky rezultat i sotëm është reflektim i një bashkimi të madh njerëzor e politik, rezultat i një fryme të re që e kemi ndërtuar së bashku me Vjosa Osmanin,” u shpreh Abdixhiku.

Ai shtoi se LDK ka shënuar rritje të konsiderueshme elektorale brenda një periudhe të shkurtër fushate.

“LDK sonte shënon rritjen më të madhe që një subjekt politik ka shënuar në këto palë zgjedhje. Me një muaj fushatë në kaq pak kohë, LDK ka kaluar nga 13% në 18%,” deklaroi ai.

Ndërkohë, Presidentja Vjosa Osmani tha se procesi zgjedhor dëshmoi funksionimin e demokracisë në vend, pavarësisht pjesëmarrjes më të ulët të qytetarëve në krahasim me zgjedhjet e kaluara.

“Kjo ka dëshmuar fuqinë e demokracisë në vendin tonë, edhe pse siç e pamë pjesëmarrja ishte relativisht më e ulët… qytetarët janë lodhur me zgjedhje,” tha Osmani.

Ajo shtoi se nga nesër institucionet duhet të fillojnë punën për formimin e qeverisë dhe konsolidimin e institucioneve të reja në vend.