Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh i nominuar për zëvendëskryeministër, Haki Abazi, në një intervistë për EO ka bërë të ditur se Lista Serbe do të jetë pjesë e Qeverisë Kurti.

Ai ka thënë se këtë të drejtë ia garanton Kushtetuta e Republikës së Kosovës.

‘’Unë mendoj që është në kuadër të diskutimeve që janë duke u bërë në vazhdimësi për koalicioni me lidhjen demokratike është dispozitë kushtetuese që Lista Serbe si përfaqësuese e komunitetit serb të jetë pjesë e qeverisë dhe aty përfundon kjo çështje, nuk ka asgjë të re përveç këtyre diskutimeve’’, tha ai.

Abazi ka përsëritur qëndrimin e VV-së në lidhje me pozitën e kryeparlamentarit të cilën e po e konsideron si të pakthyeshëm.

Ai mendon se kjo pozitë nuk do të jetë pengesë për formimin e koalicionit me LDK-në.

‘’Është një vendim që ka marrë parlamenti për të cilin kanë votuar 75 deputetët e Parlamentit të Kosovës. Është vendimi i parë që është marrë, nuk është e lehtë që të kthehet ky vendim që të bëhet pjesë e marrëveshjes politike, dhe kjo është arsyeja e vetme që jemi këtu ku jemi. Mirëpo mendoj që deri në afatin kushtetues të krijimit të Qeverisë kjo nuk do të jetë problematika e arritjes së marrëveshjes me LDK-në dhe është një çështje për të cilën mund të diskutohet për të tejkaluar problemet dhe pengesat që janë në proces’’.

Abazi mohon se ndërhyrjen e vendeve të QUINT-it në arritjen e marrëveshjes ndërmjet dy partive, duke thënë se asnjëra palë nuk e ka kërkuar një gjë të tillë.

‘’Nuk ka pasur kërkesë nga asnjëra palë që të ketë involvim të shteteve të QUINT-it për të arritur marrëveshjen finale dhe nuk  e besoj që duhet të ketë invovlim të bashkësisë ndërkombëtarë direkt në arritjen e marrëveshjes. Sigurisht ne jemi në një pjesë të procesit të përbashkët të krijimit të institucioneve por kjo nuk do të thotë që do të kenë rol të krijimit ata meqë palët janë të përafruara në masën shumë të madhe por marrëveshja programore por edhe për çështjet kryesore është e kryer. Janë çështje të vogla ato të cilat kanë mbetur realisht në përpunim për të arritur përmbyllen e marrëveshjes’’, ka thënë Abazi.

Deputeti Abazi ka thënë se do të bëjnë të gjitha përpjekjet që të arrijnë një marrëveshje me LDK-së.

‘’Besoj që ai do të jetë moment i prapë, kemi për të biseduar bashkë të gjitha energjitë janë të fokusuara që marrëveshja të arrihet ashtu siç i është premtuar edhe elektoratit për të bërë koalicionin e ndryshimit të madh ndërmjet LVV dhe LDK. Nuk ka asnjë bisedë tjetër dhe fokusim tjetër përveç asaj që të arrihet koalicioni. Nëse nuk arrihet atëherë do të jetë një moment i ri i krijuar në procesin e kapitalizmit të votës qytetare dhe do të bisedojmë bashkë për hapat e mëtutjeshëm’’.

‘’Ne e kemi thënë që do të shfrytëzojmë të gjitha mundësitë deri në çastin e fundit të mandatit kushtetues që të arrihet marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe kjo mbetet e pandryshuar deri në momentin kur nuk ekziston si mundësi’’, ka thënë ai.

Abazit nuk i ngutet për formimin e qeverisë, pasi që siç shprehet ai, qytetarët kanë pritur 20 vjet që të ketë ndryshime, andaj duhet të bëhen të durueshëm edhe pak ditë.

‘’Nëse kemi pritur 20 vjet të degradimit të plotë të shtetit tonë sigurisht që duhet pritur edhe disa ditë që të krijojmë një qeveri e cila do ta kthejë mbarë procesin e shtet formimit dhe do të kthejë shpresën e njëmend të qytetarit sepse për të pasur qeveri të cilat nuk funksionojnë sigurisht që askush nuk është i interesuar”, ka thënë ai.