A do të lejohet mbajtja e zgjedhjeve parlamentare serbe në Kosovë

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri tha se Serbia nuk mund të organizojë zgjedhje në Kosovë. Ajo tha se marrëveshja për normalizim e Brukselit, i ka dhënë fund çdo ndërhyrjeje të Serbisë në punë të brendshme të Kosovës.
Ndërkohë analistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile në vend, e konsiderojnë shkelje të kushtetutës çfarëdo forme të votimit në Kosovë për ata qytetarët që kanë dyshtetësi.
Tahiri deklaroi për Radio Kosovën se Marrëveshja e 19 prillit e vitit 2013, për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë u jep fund ndërhyrjeve të shtetit serb në punët e brendshme të Kosovës.
"Përfundimisht Serbia nuk mund të organizojë zgjedhje në Kosovë. Marrëveshja e normalizimit e arritur në Bruksel definitivisht i ka dhënë fund çfarëdo ndërhyrje të Serbisë në punët e brendshme të Republikës së Kosovës”.
Ajo tha se me Kushtetutë parashihet që qytetarët të kenë dyshtetësi andaj, ju mundësohet qytetarëve serb me dy shtetësi të votojnë, por vetëm përmes modaliteteve teknike që mundësohen nga OSBE-ja.
Megjithëkëtë zyrtarë të misionit të OSBE-së në Kosovë thonë se ende nuk kanë marr ndonjë kërkesë zyrtare për lehtësimin e këtij procesi. Në anën tjetër kryetari i Komisionit republikan për zgjedhje në Serbi, Dejan Djurgevic deklaroi se në Kosovë do të votohet në 90 vendvotime dhe se Këshillin zgjedhor do ta përbëjnë tre anëtarë.
“Ajo që është specifike në krahasim me Kosovën, që ka qenë njëjtë edhe në vitin 2012 është se këta tre anëtarë të Këshillit zgjedhor do të zbatojnë zgjedhjet në këto vendvotime dhe kur të përfundojë votimi, ata janë të obliguar që tërë materialin zgjedhor ta vulosin dhe me asistencë teknike të OSBE-së ta bartin në qendrat në Rashkë dhe Vranjë ku do të numërohen votat dhe të nxirret rezultati i zgjedhjeve”.
Ndërsa analisti i çështjeve Kushtetuese, Mazllum Baraliu thotë se edhe përmes rolit lehtësues të OSBE-së dhe pikave grumbulluese nuk do të duhej të lejohej votimi i qytetarëve me dyshtetësi në zgjedhjet parlamentare të Serbisë në territorin e Kosovës.
Ashtu si Baraliu edhe Driton Selmanaj nga KDI thotë se qytetarët me dy shtetësi mund të shkojnë të votojnë në Serbi, por jo në Kosovë, në çfarëdo forme që organizohen ato.
"Vendet tjera e kanë të organizuar këtë çështje çoftë përmes votimit në misionet diplomatike ose në mënyra të organizuara për të shkuar në serbi për të votuar, por asesi që të hapen qendra të votimit ose vendvotime në mënyrë që t’iu lejohet mundësia për të votuar qytetarëve të Kosovës. Prandaj them se ka ardhur koha që institucionet e Kosovës nuk do të duhej lejuar asesi dhe do të duhej të respektohen dispozitat kushtetuese".
Zgjedhjet e parlamentare në Serbi, do të mbahen më 16 mars, ndërkaq në hartën elektorale të Serbisë është përfshirë edhe Kosova. /Telegrafi/












































