Nga: Thomas Hobbs / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com
“E luajta për pesë minuta dhe ende e shoh në ëndrra”, shprehet sipërmarrësi i video-lojërave, Henk Rogers (i luajtur nga aktori britanik, Taron Egerton), me sytë e tij të hapur nga emocioni – në një skenë nga filmi i ri i Apple TV+, Tetris. Rogers përpiqet të bind një financier që t’i fitojnë milionat, në mënyrë që ai t’i sigurojë të drejtat e licencimit ndërkombëtar të lojës. “Kjo është një poezi”, shton ai me bindje. “Arti dhe matematika punojnë në një sinkronizim magjik.”
I vendosur në vitet 1980, filmi shfaq një Rogers të guximshëm që fluturon drejt Bashkimit Sovjetik në një mision për ta sjellë Tetris-in – një lojë që ia trazoi mendjen në një ekspozitë biznesi – përtej Perdes së Hekurt. Pasi në Moskë e takon krijuesin e lojës Alexey Pajitnov, ai e krijon një partneritet të pamundur me të dhe të dy garojnë kundër kohës (dhe oficerëve mashtrues të KGB-së) për ta larguar Tetris-in nga vendi.
Ndonëse filmi nuk është tamam një “film tetrisi”, por më shumë një triler gjeopolitik në të cilin Tetris-i është temë e rrëfimit, megjithatë është një kujtesë e ndikimit global të enigmës ikonike që ndodhet mes një grupi të rrallë lojërash (përfshirë Super Mario Bros dhe Space Invaders) që vazhdojnë ende ta magjepsin audiencën – dekada pas lansimit të tyre. Në esencë, Tetris-i nuk duket përvojë aq zhytëse në lojëra, siç është epika kinematografike post-apokaliptike The Last of Us, dhe as nuk është në gjendje të ofrojë nxitjen për drejtimin e një makine të vjedhur në perëndimin e diellit të neonit në Grand Theft Auto: Vice City. Megjithatë, Tetris-i është loja më e portretizuar e të gjitha kohërave – që do të thotë, loja e konvertuar për përdorim në pajisjet dhe platformat më të ndryshme – dhe një nga sipërmarrjet më të suksesshme komerciale të lojërave me 520 milionë kopje të shitura globalisht. Pra, çfarë e bën Tetris-in të quhet video-lojë “perfekte”, siç thotë personazhi i Egertonit në film?
Koncepti i Tetris-it është jashtëzakonisht i thjeshtë: format tetromino (format gjeometrike të bëra nga katër katrorë) bien një nga një nga maja e ekranit. Lojtari duhet t’i riorganizojë këto forma në mënyrë që ato të formojnë vija horizontale, të cilat më pas pastrojnë blloqet dhe lirojnë hapësirën shtesë. Megjithatë, blloqet priren të ndërtohen në mënyrë kaotike, duke krijuar një ndjenjë mbytëse – të ngjashme me shtypjen për dritare në një autobus të mbushur (aka “Tetris njerëzor”). Nëse keni sukses në Tetris, do të luftoni nëpër nivele ku blloqet bien më shpejt e më shpejt, duke hyrë gradualisht në një rrjedhë intuitive.
Gjithë kjo kombinohet duke krijuar një emocion që është i vështirë të artikulohet. Profesori James Newman, bashkëdrejtor i Playable Media Lab në Universitetin Bath Spa, e provon: “Duke iu përgjigjur furnizimit të pafund të blloqeve, duke i organizuar ato, duke parkuar taktikisht disa për t’u marrë më vonë me to teksa strategjikisht shton dhe kombinon të tjerat në forma dhe strukturat e duhura me mundësinë për eliminim në të ardhmen, Tetris-i ofron potencialin joshës të veprimit dhe të kontrollit në një det të kaosit të dukshëm”.
Tetris-i është një lojë që frymëzon të menduarit kritik, kjo sipas shkencëtarëve nga Mind Research Network, të cilët pretendojnë se ekspozimi i madh ndaj Tetris-it bën që truri të konsumojë më pak glukozë dhe të bëhet më produktiv. “Nëse e shikoni dizajnin e Tetris-it, çdo gjë ka vendin e vet; nuk ka gabime dhe është i distiluar në formën më të pastër”, shton zhvilluesi i video-lojërave, Niels Monshouwer, bashkëthemeluesi i WeirdBeard Games – përgjegjës për lojën argëtuese të vitit 2016, Tricky Towers, që është si një hibrid Tetris-Jenga – dhe qartësisht avokat i kësaj analize shkencore.
Kur u pyet se pse një lojë kaq e thjeshtë si Tetris-i përmendet shpeshherë thuajse është në kulmin e zhvillimit të video-lojërave, Monshouwer vazhdon: “Është shembulli kryesor i asaj që është ‘e lehtë për t’u mësuar, por e vështirë për t’u zotëruar’. Në nivelin më bazik, ka një kënaqësi në rregullime. Sa herë që luan, bëhesh më i mirë. Mund të futesh në një rrjedhë ku duart dhe mendja bëhen një”.
Për shahun mund të duhen vitet për t’u zotëruar, por thjeshtësia e Tetris-it do të thotë se pothuajse kushdo – lojtar i fortë apo jo – mund të kuptojë intuitivisht se çfarë do të bëjë. “Tetris-i me të vërtetë është dizajn minimalist i lojës në mënyrën më të mirë”, shpjegon gazetari i teknologjisë, Dan Ackerman, autor i The Tetris Effect: The Game that Hypnotized the World. “Nuk përpiqet të rikrijojë filma fantastiko-shkencorë ose filma aksioni me grafikë të dobët; përkundrazi, u përshtat me kufizimet e kompjuterëve të kohës. Ishte gjithashtu aq abstrakte saqë nëse nuk do të ishe ‘gejmer’, do ta bindje veten se nuk është video-lojë, por thjesht një lloj enigme gjeometrike ose truri. Tetris-i ishte loja për njerëzit që nuk do të ziheshin kurrë duke luajtur video-lojëra”.
Për të kuptuar me të vërtetë se si Tetris-i arriti të “hipnotizonte botën”, siç pretendon libri i Ackermanit, dhe se si u bë objekt i një filmi të ri hollivudian, është e rëndësishme t’i gjurmojmë rrënjët e tij. Edhe pse shumë njerëz supozojnë se Tetris-i është krijuar nga prodhuesi japonez Nintendo (duke pasur parasysh suksesin e jashtëzakonshëm të lojës së dorës GameBoy, më 1989), në fakt ishte puna e një programuesi të mërzitur rus, Alexey Pajitnov. E krijoi për herë të parë Tetris-in në 1984, si diçka argëtues për të lehtësuar tensionet e punës për Akademinë e Shkencave të Bashkimit Sovjetik – në kulmin e Luftës së Ftohtë. Pavarësisht se përdorte një kompjuter primitiv Electronika 60, i cili ishte i paaftë për të krijuar grafikë, Pajinovi e përdori simbolin e kllapave në tastierë për t’i replikuar tullat që ndriçonin në mendjen e tij, duke e koduar përfundimisht një lojë rudimentare.
Sa i përket emrit Tetris, erdhi nga Pajitnovi duke e kombinuar fjalën greke tetra (që do të thotë katër, si numri i katrorëve në secilin prej blloqeve që bien në lojë) dhe sportin e tij të preferuar të tenisit. Ka aludime për kombësinë e krijuesit të saj përmes përdorimit të Korobeiniki-t, një kënge popullore ruse si melodi tematike për Tetris-in në shumë versione të lojës, duke filluar me versionin në GameBoy. “Në shumë lojëra ju i shkatërroni gjërat, por në Tetris e keni iluzionin se po ndërtoni diçka gjatë gjithë kohës”, shpjegoi Pajitnov në një intervistë për Polygon-in në vitin 2019. “Është konstruktive dhe pozitive, dhe ju bën të ndiheni të zgjuar”.
Baza e filmit të ri Tetris është marrëdhënia midis Rogersit (Egertonit) dhe Pajitnovit (i luajtur nga aktori Nikita Efremov), të cilët bashkohen pavarësisht dallimeve të tyre kulturore dhe arrijnë ta nxjerrin një video-lojë prapa Perdes së Hekurt – në kohën kur politika e vendit ishte antikapitaliste. Me dyshen e bashkuar për ta penguar manjatin e Mbretërisë e Bashkuar, Robert Maxwell (që luhet në mënyrë të përsosur dhe gazmore nga ylli i serisë The Thick of It, Roger Allam), nga marrja e të drejtave, si dhe fakti se presidenti Mikhail Gorbachev bindet që ta lejojë Tetris-in që të shitet në gjithë botën, partneriteti i tyre i tejkalon përshkrimet klishe të Hollivudit për marrëdhëniet luftarake të ShBA-së dhe Rusisë.
Në vend se të bëhet një film për video-lojën Tetris, siç është, Baird u magjeps nga kjo histori njerëzore që e solli lojën në ekzistencë. “Titulli origjinal i filmit në të vërtetë ishte Falling Blocs, ashtu si u shpërbënë blloqet lindore kur u shemb Bashkimi Sovjetik. Mendova se ishte titull vërtet i mrekullueshëm. Për mua, Tetris-i është film për shokët dhe triler i Luftës së Ftohtë, por në qendrën e saj është kjo histori njerëzore mes dy djemve që vijnë nga polet e kundërta të botës dhe janë tepër të ndryshëm, por megjithatë arrijnë ta krijojnë këtë lojë madhështore. “E vetmja arsye se pse Henku e gjeti Tetris-in ishte sepse ishte piratuar ilegalisht jashtë vendit”, vazhdon Baird. “As që supozohej të largohej nga Bashkimi Sovjetik. Piratimi në atë kohë nënkuptonte se ajo duhej të kontrabandohej jashtë vendit, në një disketë. Kjo tregon për fuqinë e lojërave dhe se si kanë gjuhë globale që i kapërcen dallimet politike”.
Në film, Rogersi përshkruhet si dikush që besonte se Tetris-i jo vetëm që do të bëhet lojë e suksesshme, por filmi shkon aq larg sa sugjeron një shkas që Rusia ta qetësojë Luftën e Ftohtë dhe ta përqafojë kapitalizmin global. Në një skenë, ai me mendjemadhësi e pyet një oficer të KGB-së: “A nuk doni t’i tregoni botës se Bashkimi Sovjetik ka të bëjë më shumë se raketat dhe fuqia ushtarake”?
Por, a nuk ishte vërtet Rogersi vetëm një biznesmen tjetër oportunist që përpiqej të merrte një pjesë të një loje që nuk e krijoi kurrë? “Henku me të vërtetë e përmbushi premtimin e tij ndaj Alexeyt”, kundërshton regjisori i Tetris-it, Jon S Baird për BBC Culture. “Ka një rresht në film ku ai thotë: ‘Do të të bëj milioner’! Dhe, ai këtë e bëri! Në fakt, e ktheu Alexeyn në multimilioner. E pata mundësinë të kaloj kohë me të dy ata [në Festivalin SXSW, ku filmi u shfaq premierë] dhe ishte e qartë se Tetris-i e kishte krijuar këtë miqësi të qëndrueshme. Familjet e tyre ende e ndajnë bukën së bashku”.
Ndërkohë, ndikimi më i gjerë i Tetris-it në botë mishërohet sot nga Kampionati Botëror Classic Tetris, një turne vjetor i nisur në vitin 2010 dhe tani i mbajtur në Portland të Oregonit që bashkon lojtarët elitarë për të konkurruar kokë më kokë në ndeshjet me pesë raunde – në konsolat e Nintendo Entertainment System. Presidenti i saj, Vince Clemente, kujton për të mirë: “Dashuria ime për Tetris-in filloi kur mora lojën për Krishtlindje, në vitet 1090. Familja ime dhe unë uleshim dhe luanim me radhë. Fillonim në nivelin 0. Acarohesha me motrën time që nuk e shtypte sustën [për ta shpejtuar zbritjen e tullave]”.
Clemente thotë shtytja e madhe për ngjarjet në CTWC, është atmosfera e shkujdesur që loja nxit, diçka që është shumë e ndryshme nga ndjekja e një turneu – për shembull te një lojë të përqendruar te dhuna me armë. “Ndryshe nga komunitetet e tjera të sporteve elektronike, që mund të jenë disi toksike, komuniteti i Tetris-it është mbështetës i njëri-tjetrit”, pohon ai. “Mendoj se në fund të fundit kjo vjen nga fakti se në të vërtetë ti thjesht e luan një lojë kundër vetes. Ti je përgjegjës për mënyrën se si luan dhe çfarë shënon. Sa i përket komunitetit, ne të gjithë flasim të njëjtën gjuhë, Tetris, dhe kjo është ajo që na bashkon”.
Nga mjetet e çuditshme të krijimit në Minecraft e deri tek lojërat e preferuara në telefonat inteligjentë – si Angry Birds dhe Candy Crush Saga – që luhen nga miliona njerëz në shtëpitë e veta, ndikimi i Tetris-it është i thellë. “Në thelb e krijoi zhanrin e enigmës në video-lojëra, duke dëshmuar se këto lloje lojërash ishin të vlefshme”, mendon Brian Brown, artisti i stripit Tetris: The Games People Play, një libër i vlerësuar nga kritika që riimagjinon historinë e Henkut dhe Alexeyt në një novelë grafike. “Qindra, nëse jo mijëra lojëra, kanë ndjekur gjurmët e saj”.
Me filmin e ri të Apple+ që sigurisht nxit ndërgjegjësimin për Tetris-in dhe rinisja e vitit 2018 me Tetris Effect që e sjell lojën në konsolat moderne – duke shtuar më pas një pjesë ku deri në tre persona mund të luajnë së bashku në bashkëpunim – Brown është i bindur se brezat e rinj së shpejti do të nisin ta shohin Tetris-in me të njëjtin lloj respekti si ata të shahut. “Sapo fillon Tetris-i, lojtari e kupton thellë se kjo është një sfidë ku ia vlen të rikthehet”, shton ai. “Është më e thjeshtë dhe më e lehtë për t’u mësuar sesa shahu dhe nuk është më pak sfiduese. Shumë mund të pohojnë se gjithashtu është shumë më argëtuese”.
Për Ackermanit, fakti që Tetris-i ka themele kaq të thella, sigurisht se do të luhet edhe pas 100 vjetësh. “Mos e harroni enigmën bazike matematikore pas Tetris-it, e quajtur pentominos që ka ekzistuar që nga fillimi i viteve 1900 dhe se enigmat e ndërtuara rreth gjeometrisë janë ide universale”, thotë ai.
“Shumë retro-lojëra nuk ia dalin mbanë. Njerëzit ose përpiqen t’i rikrijojnë me një tërheqje ‘moderne’ ose për t’i bërë më të thjeshta, ose vendosin një shtresë të re ngjyre në një lojë të vjetër – kështu ishin të gjitha ‘rimodelimet’ dhe ‘ribërjet’ e video-lojëra të viteve të fundit. Tetris-i e shmang në masë të madhe këtë kurth, sepse nuk ka nevojë për një përmirësim të madh grafik për dukje dhe për t’u ndier moderne. Dizajni origjinal ishte aq i përjetshëm, saqë kockat prapa tij do të qëndrojnë gjithmonë në këmbë”. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
"Mund të shkojë deri në 1 milion dollarë?": Ekspertët tregojnë se çfarë mund të ndodhë, nëse SHBA nën Trump krijon një 'rezervë kombëtare me bitcoin'
Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare tregon se si e sheh ai “fundin e luftës në Ukrainë”
Ruben Amorim kritikon haptas yllin e Man United pas barazimit ndaj Ipswich Town
Ngjarja me Drilonin dhe Edin - Sarës i përkeqësohet gjendja në Big Brother VIP Kosova?
Pochettino e injoroi dhe bëri sikur nuk e njeh, ish-ylli i Chelseat ka një përgjigje për argjentinasin
Real Madridi në mesin e klubeve të interesuara për transferimin e mbrojtësit nga Serie A