LAJMI I FUNDIT:

Ibrahimi: Për më pak se nëntë muaj, 17 të vdekur në vendet e punës (Video)

Ibrahimi: Për më pak se nëntë muaj, 17 të vdekur në vendet e punës (Video)

Përveç pagesave të ulëta dhe kushteve të rënda të punës në të cilën punojnë, punëtorët në sektorin privat ndonjëherë e pësojnë edhe me vdekje gjatë orarit punës.

Sipas Inspektoratit të Punës, për më pak se nëntë muaj në Kosovë kanë vdekur 17 persona në vendet e punës, derisa më 2017 në vendet e punës kishin vdekur 19 persona.

Rasti i fundit kur një punëtor ka vdekur në vendin e punës, ka qenë rasti i një punëtori i cili kishte vdekur gjatë punës në një objekt banesor në ndërtim, ngjarje e ndodhur të hënën në Prishtinë.


Kryeinspektori i Punës, Basri Ibrahimi, në një intervistë për Telegrafin ka thënë se siguria në punë mbetet një sfidë për të gjithë.

“Të hënën e kemi pasur vdekjen e një punëtori të moshës 53 vjeçare, në një kompani në Prishtinë. Është një fatkeqësi që ka ndodhur përkundër masave që i kemi ndërmarrë si Inspektorat i Punës, me inspektime, duke shqiptuar gjoba permanente dhe duke marr veprime për t’i zvogëluar aksidentet në vendet e punës”, ka thënë ai.

Ibrahimi ka Treguar se Inspektorati i Punës, këtë vit ka filluar inspektimet nëpër kompani më herët se zakonisht, por pavarësisht inspektimeve, numri i të vdekurve është shqetësues si pasojë e kushteve të punës.

“Deri më 24 shtator numri i viktimave është 17, prej tyre 15 të vdekur në vendin e punës për shkak të kushteve të punës, ndërsa dy vdekje janë vdekje natyrore në vendet e punës. Këtë vit i kemi katër raste të vdekjeve duke punuar në shtëpi individuale, si dhe i kemi katër raste nga rryma që merret si faj i njeriut”, tha Ibrahimi.

Gjatë vitit 2017, sipas tij ka pasur 19 vdekje në vendin e punës, prej të cilave 14 kanë vdekur si pasojë e kushteve të punës, ndërsa 5 vdekje kanë qenë natyrore, por të ndodhura në vendin e punës.

Ai konsideron se punëdhënësit janë përgjegjësit kryesor për të pasur siguri në punë, por edhe punëtorët duhet të kenë kujdes.

“Fatkeqësisht ne kemi edhe neglizhencë nga ana e punëtorëve, sepse nuk i kushtojnë rëndësi vetvetes”, tha Ibrahimi.

“Numrin e inspektorëve të punës nuk e kemi të mjaftueshëm dhe këtë e dinë të gjithë, si në Qeveri, po ashtu edhe në Kuvend. Madje edhe në raportin e progresit është konstatuar se ka pak inspektorë dhe është thënë se ky numër duhet të jetë 65 e jo sa kemi aktualisht, vetëm 42 inspektorë”.

Sipas Ibrahimit, as në kompaninë Bechtel – Enka siguria në punë nuk është në nivelin e duhur.

“Fatkeqësisht edhe në kompaninë Bechtel – Enka ka pasur rast të vdekjeve, por edhe të lëndimeve në vendet e punës”, ka treguar ai.

Gjithsesi, ai ka thënë se vende të punës pa rreziqe nuk ka.

“Asnjë vend i punës nuk ka me rrezik zero, por duhet të bëhet vlerësimi në vendin e punës se çfarë masash duhet të ndërmerren që aksidentet të jenë më të ulëta”, tha ai. /Telegrafi/