LAJMI I FUNDIT:

80 për qind e bizneseve mendojnë se nuk është edhe aq keq të bëjnë biznes në Kosovë

80 për qind e bizneseve mendojnë se nuk është edhe aq keq të bëjnë biznes në Kosovë

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari ka paralajmëruar se ka për synim luftimin e korrupsionit në sektorët e duhanit, naftës dhe metrologjisë, të instaluara sipas saj nga ish-ministrat e këtij dikasteri.

Hajdari theksoi se këta sektorë në vend janë mjaft të dëmshëm për buxhetin e shtetit, për çka tregoi se kanë filluar që t’i adresojnë tek organet e ndjekjes.


“Ndoshta ish-ministrat kanë qenë të interesuar të kenë kontrata afatshkurtra të cilat unë i kam trashëguara sa i përket naftës, duhanit, metrologjisë e shumë kontrata të tjera të dëmshme në mos interes të parasë publike, për më keq të parasë publike. Unë jam përball misionit që të ndërtojmë politika, por edhe përballë misionit që ta ndalim korrupsionin, ta ndalim të keqen. Për një muaj e gjysmë jam marrë me adresimet në polici dhe prokurori për problemet e naftës. Kjo është situata të cilën e kemi trashëguar”, theksoi Hajdari.

Këto komente ajo i bëri gjatë prezantimit të rezultateve të anketimit vjetor të Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGJK). për klimën e biznesit dhe investimeve në Kosovë.

Megjithëkëtë, Hajdari tha se ka ende shumë punë për të bërë në ngritjen e imazhit të Kosovës.

“Sot anketa veç se na dëshmoi pavarësisht se disa nga ne mund ta vlerësojmë vendin tonë që jemi me imazh shumë të mirë, megjithatë mbetet shumë punë për të bërë nga ngritjen e imazhit për investime në Kosovë, duke filluar nga politika nga azhurnimi i ligjeve, nga krijimi i gjykatës komerciale për t’i zgjidhur problemet sa i përket bizneseve, po ashtu edhe ndërtimi i njësisë për kujdesin pasues për investitorë në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë”, theksoi Hajdari.

Zëvendësambasadori i Gjermanisë, Jan-Axel Voss theksoi se është i befasuar se sa të durueshëm janë biznesmenët e Kosovës me qeverinë e tyre.

Voss tha se ka pritur kundërshtime disi më të ashpra ndaj qeverive të kaluara, por që shtoi se kjo qeveri ka punë për të bërë.

“Ne shpresojmë që, në rezultatet që dalin nga sondazhi, veçanërisht mbi Kosovën, qeveria e re mund të hedhë një vështrim dhe të shohë se ku shqetësohet komuniteti i biznesit, ku janë ata të durueshëm? Çfarë presin ata? Kështu që unë shpresoj që kur linja të jetë gati për takime, të ftohen këto Oda, në mënyrë që të mund të kontribuojmë me rezultatet e këtij studimi, por edhe me informacione të tjera që Shoqata e Biznesit ka mbledhur, për shembull nga diaspora, edhe ata gjithashtu bënë një sondazh. Unë jam i befasuar se sa të durueshëm janë biznesmenët e Kosovës me qeverinë e tyre. Unë kam pritur kundërshtime disi më të ashpra ndaj qeverive të kaluara, por gjithashtu ekziston një akuzim i ashpër për aftësitë qeverisëse. Ku të dy palët morëm pjesë në Samitin e AFP-së dy ditë më parë në Prizren. Kjo qeveri ka punë për të bërë”, theksoi Voss.

Drejtoresha e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare, Nora Hasani theksoi se përkundër vështirësive të shkaktuara nga pandemia COVID-19, shihet që kompanitë pjesëmarrëse në anketim kanë një qasje pozitive dhe janë të gatshëm të marrin riskun dhe të rrisin punësimin dhe investimet në kompanitë e tyre.

“Duke ndërlidhë përgjigjet e kompanive se a do të investoni prapë në Kosovë që janë rreth 80 për qind, e shohim që nuk është edhe aq keq të bëjnë biznes në Kosovë. Akoma është pandemi dhe kanë vështirësi, 44 për qind prapë kanë dëshirë me investuar sivjet, ndërsa më shumë se gjysma janë të gatshëm me punësuar ose me krijuar vende të reja të punës, edhe pse ende jemi në pandemi. Krejt këto neve na japin sinjale pozitive që mundemi edhe në kohë të pandemisë me pasur prapë zhvillim ekonomik dhe tregim suksesi”, theksoi Hasani.

Ndërsa, Sytrime Dervisholli, analiste për politika dhe marrëdhënie me Qeverinë foli për situatën e ekonomike dhe pritjet e bizneseve, e cila theksoi se pas rënies ekonomike në vitin 2020, shumica e ndërmarrësve të anketuar presin që të ketë zhvillime pozitive këtë vit, për ekonominë në tërësi dhe aq më tepër për kompaninë e tyre.

42 për qind presin një përmirësim të situatës në industrinë e tyre në 12 muajt e ardhshëm, ndërsa 16 përqind presin që situata të përkeqësohet.

Sipas Dervishollit, kërkohet luftimi i korrupsionit dhe përmirësimi i sigurisë ligjore, veçanërisht në fushat e luftës ndaj korrupsionit dhe kriminalitetit kërkohet veprim nga ana e qeverisë së Kosovës.

Anëtarët e kësaj Ode dhe investitorë të tjerë të huaj presin që të ketë rritje ekonomike këtë vit, si për ekonominë në tërësi, ashtu edhe për biznesin e tyre.

Në të njëjtën kohë, mbeten shumë punë për të bërë për ta rritur cilësinë e faktorëve që përcaktojnë mjedisin e të bërit biznes në Kosovë dhe për ta përmirësuar imazhin e jashtëm të Kosovës. /KP/