LAJMI I FUNDIT:

8 Marsi i grave me përkatësi

8 Marsi i grave me përkatësi

Gratë i përkasin popullit dhe këtë popullsi e përbëjnë gjysma e tyre. Gratë i përkasin shtetit dhe këto gra duhet të marrin përgjegjësi, të ndalen së viktimizuari. Madje, mund të them se mu për shkak të grave ekziston diskriminimi gjinor dhe ndërgjinor

Behare Bajraktari,
gazetare dhe drejtuese e emisionit ON AIR, RTK-RADIO 1


Përderisa po e shkruaja këtë shkrim po bisedoja me një mikun tim dhe ai më tha: “Ju gratë na keni bërë të tillë”?!

Pra, nënat i edukojnë djemtë e tyre. Nënat i edukojnë vajzat e tyre. Por si?

Kur kthehesh në kohë, në vitet ‘50-të, gjysma e qytetarëve të Kosovës ishin analfabetë që s’dinin as shkrim e lexim. Tash, pas 70 vjetësh gjysma janë analfabetë funksionalë. Gra e burra që lexojnë, por nuk kuptojnë.

Pra, kemi gra e burra që s’i kuptojnë dot rolet e tyre, të drejtat e tyre … e, pse janë në këtë botë?

Shoqëria kosovare ka nevojë për të promovuar drejtësinë shoqërore, e cila përfshin përpjekje për të trajtuar çështje të tilla, si: varfëria, përjashtimi, barazia gjinore, papunësia, të drejtat e njeriut dhe mbrojtja shoqërore. OKB-ja, 20 shkurtin e ka shpall si ditë kushtuar Drejtësisë Sociale.

Tema e vitit të kaluar ishte “Nëse Doni Paqe dhe Zhvillim, Punoni për Drejtësi Sociale”, ndërsa për vitin 2020 është “Mbyllja e Hendekut të Pabarazive për të Arritur Drejtësinë Sociale”.

Nënat-gratë duket që nuk e kanë të qartë se jetojnë në pabarazi sociale. Kur gruaja – nëna jeton nën këtë hendek gjasat janë që ajo të vazhdojë ta edukojë brezin e ri me mendësinë e saj, duke vazhduar padrejtësia sociale.

Në shoqërinë tonë ekziston një numër i konsiderueshëm grash që vazhdojnë të thonë se “një motër që merr hisen – s’ka çka lypë më të vëllai”! Po pse këto gra nuk e bëjnë pyetjen ndryshe: “Vëllai që ia mohon pasurinë motrës – nuk është vëlla”!

Njeriu duhet ta ketë një përkatësi, edhe në rastin e pasurisë së trashëguar apo të krijuar së bashku. Dhe nëse ti si grua nuk trashëgon pasuri nga familja ku ke lindur; nëse ti si grua ndërron shtëpinë, vendbanimin, mbiemrin e shumë gjëra të tjera, ndërsa as tek bashkëshorti yt s’të takon asgjë. Pra, ti s’je asgjë. Ti je një njeri i padukshëm. Pa rrënjë dhe pa përkatësi. Kur nuk ke shtëpi, nuk ke as përkatësi, as dashuri, as shtet e as atdhe. Je fantazmë.

A janë gratë fantazma?

Ky lloj i grave tërë kohës ankohen se si nuk e duan as atje, e as këtu. Pra, në kuptimin “as te baba, e as te burri”. Në të vërtet ti zonjë nuk e do veten, sepse ti nuk dëshiron t’ia dish se trashëgimia është e rregulluar me Ligjin për Trashëgiminë.

Pra, gratë nuk kanë nevojë të vetëdiskriminohen, të vetëanatemohen. Paragrafi 1 i nenit 3 të Ligjit për Trashëgiminë, përcakton se: “Të gjithë personat fizikë në kushte të njëjta janë të barabartë në trashëgimi”, duke definuar qartësisht se ndarja e trashëgimisë mes anëtarëve të familjes është e barabartë, pa përjashtuar trashëgimtarë në baza gjinore.

Për ta theksuar një gjendje krahasimtare të grave në Ballkan sipas statistikave: 16 për qind e grave në Kosovë kanë prona të tyre; 17 për qind në Maqedoni; 25 për qind e grave në Bosnje e Hercegovinë; 27 për qind në Malin e Zi; 29 për qind në Shqipëri dhe 49 për qind e grave në Serbi kanë prona të tyre.

Pra, nëse gjysma e popullsisë nuk e ka të qartë rolin dhe vendin e vet, për këtë është hartuar Kushtetuta e Kosovës, e cila ka përcaktuar si të barabartë rolin e grave dhe burrave në shoqëri dhe e ka parandaluar diskriminimin duke e sanksionuar këtë me nene të veçanta, apo me përvetësimin e konventave ndërkombëtare të përmendura në të.

Gratë janë po aq përgjegjëse sa burrat për Kosovën. Gratë janë po aq përgjegjëse për të ardhmen e fëmijëve. Gratë janë po aq përgjegjëse për edukimin e vajzave dhe djemve. Gra-nëna-vajza, ju jeni gjysma e zemrës së Kosovës. Gjysma e shpirtit. Gjysma e shtetndërtimit. Gjysma e dështimit. Gjysma e suksesit.

A do ta pranonit Kosovën përgjysmë? /Telegrafi/