30 aksidente dhe mbi 1,300 gjoba brenda një jave në rajonin e Ferizajt

Gjatë javës 6–12 prill 2025, në rajonin e Ferizajt janë regjistruar gjithsej 30 aksidente trafiku, ndërsa janë shqiptuar 1,347 gjoba për kundërvajtje të ndryshme në komunikacion.
Sipas Policisë Rajonale të Ferizajt, aksidentet janë shpërndarë në komunat Ferizaj, Kaçanik, Shtime, Shtërpcë dhe Hani i Elezit. Prej tyre, 15 aksidente kanë përfunduar me lëndime trupore, ku janë lënduar 18 persona, ndërsa 15 raste të tjera kanë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Po ashtu, gjatë kësaj periudhe policia ka ndërmarrë masa ndëshkuese edhe ndaj shkeljeve më të rënda në trafik, duke hequr 33 patentë shoferë për drejtuesit që kanë kryer kundërvajtje për të cilat parashihet kjo masë mbrojtëse.
Autoritetet policore bëjnë të ditur se do të vazhdojnë me aktivitete të shtuara në terren me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë në komunikacion.
“Apelojmë tek të gjithë drejtuesit e automjeteve që të jenë të kujdesshëm dhe të respektojnë shenjat dhe rregullat e komunikacionit”, thuhet në njoftim.
Policia ka ftuar qytetarët që të bashkëpunojnë duke raportuar shkeljet në trafik përmes kanaleve zyrtare, duke garantuar se të dhënat e tyre do të trajtohen me konfidencialitet të plotë. /Telegrafi/




















































