LAJMI I FUNDIT:

Kinës i bien eksportet dhe importet

Kinës i bien eksportet dhe importet

Eksportet dhe importet e Kinës ranë më shumë se sa pritej gjatë muajit Prill duke vënë në dukje kërkesën e dobët brënda dhe jashtë vendit.

Të dhënat zbehin optimizmin e një rimëkëmbjeje në ekonominë e dytë më të madhe në botë. Eksportet ranë me 1.8% nga viti i kaluar, duke përmbysur tendencën pozitive të muajit të kaluar dhe në vijë me shqetësimet e qeverisë se tregtia e jashtme do të jetë sfiduese për 2016-ën.


Importet për muajin Prill ranë me 10.9% me bazë vjetore, për të 18-tin muaj radhazi dhe tregojnë se kërkesa e brëndshme qëndron e dobët pavarësisht përshpejtimeve në shpenzimet në infrastrukturë dhe rritjes rekord të kreditit në tremujorin e parë.

Ekonomistët e Commerzbank në Singapore thonë se të dyja importet dhe eksportet rezultuan më ulët se parashikimet, në linjë me tregtinë e dobët përreth Azisë dhe duke shënuar një vit tjetër sfidues për tregjet në zhvillim.

Eksportet e Kinës në Shtetet e Bashkuara, që është dhe tregu kryesor, ranë me 9.3% gjatë muajit Prill nga viti i kaluar, ndërsa dërgesat për në Bashkimin Europian, që është tregu i dytë më i rëndësishëm, u rritën me 3.2%.

Kabineti i Kinës ka premtuar të ndërmarrë hapa për të nxitur eksportet, përfshirë këtu inkurajimin e bankave për të dhënë hua dhe reduktuar barrën tatimore te disa firma. Për muajin Prill, Kina kishte një suficit tregtar prej 45.56 miliardë dollarë. /Telegrafi/