Ministrja e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), Mimoza Kusari-Lila ka pritur sot inspektorët komunalë, të cilët tashmë do të veprojnë në kuadër të Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT).

Me këtë rast, ministrja Kusari-Lila u ka uruar mirëseardhje 15 inspektorëve të transferuar nga niveli lokal, në përputhje me Ligjin për Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut.


Ajo u shpreh se me këtë hap po forcojnë kapacitetet e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, që vepron në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, duke avancuar zbatimin e reformës së mbikëqyrjes së tregut.

Me këtë transferim, sipas ministres, numri i përgjithshëm i inspektorëve të IQMT-së arrin në 39, nga 24 aktual dhe 15 të rinj.

Ajo tutje theksoi se në fazën e dytë të zbatimit të ligjit, deri në fund të vitit 2026, synojnë ta rrisin këtë numër në 100 inspektorë, duke dyfishuar kapacitetet mbikëqyrëse në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Ministrja Kusari-Lila theksoi se ky zgjerim i kapaciteteve do të kontribuojë në mbrojtjen më të lartë të të drejtave të konsumatorëve, garantimin e sigurisë së produkteve, rritjen e respektimit të legjislacionit në fuqi dhe ndërtimin e tregut më të drejtë, më të besueshëm dhe më të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. /Telegrafi/