LAJMI I FUNDIT:

10 fitore radhazi, askush si Ferizaj në futbollin kosovar – ‘Ujqit’ me hapa të sigurt drejt rikthimit në Superligë

10 fitore radhazi, askush si Ferizaj në futbollin kosovar – ‘Ujqit’ me hapa të sigurt drejt rikthimit në Superligë

Ti bësh 10 fitore radhazi në futbollin kosovar, gjithmonë është e vështirë, pa marrë parasysh se cila skuadër je, Drita, Ballkani, Llapi apo Prishtina.

Megjithatë një skuadër në Ligën e Parë e ka arritur këtë. Fjala është për Ferizajn e Arsim Abazit, skuadër që ka marrë 10 fitore radhazi dhe me 30 pikë nga 10 ndeshjet e fundit është lider në Grupin B të Ligës së Parë.


Ferizaj e nisi sezonin me Ismet Munishin në krye të skuadrës, por pas nëntë javëve kishin vetëm katër fitore, dy barazime dhe tre disfata. Rezultate jo të mira për një ekip që ishte i bërë për ta dominuar ligën ku bëjnë gara.

Kjo bëri që pas largimit të Munishit, stoli i skuadrës t’i besohet një legjende të klubit dhe qytetit, ish-futbollistit dhe tanimë trajnerit të dëshmuar Arsim Abazit.

Prej që e ka marrë skuadrën në dorë Abazi, Ferizaj ka 10 fitore nga 10 ndeshje, nëntë në fushë dhe një në tavolinë ndaj Ulpianës e cila kishte bërë një lëshim.

Trajneri i Ferizajt, Arsim Abazi në një bisedë për Telegrafin flet për formën e kësaj skuadre, pritshmëritë që kishin dhe objektivin madhor që është rikthimi në Superligë.

“Vërtetë është shumë e vështirë t’i marrësh 10 fitore radhazi në Kosovë. Fillimi nuk ishte i lehtë pastaj u bënë ndryshime pas largimit të trajnerit Ismet Munishi dhe ideja ishte që ta merrja drejtimin e skuadrës vetëm për dy ose tre ndeshje deri sa ta gjenim një trajner të ri, pasi isha edhe pjesë e klubit në rolin e drejtorit sportiv”.

“Unë e njihja mirë klubin dhe lojtarët, e dija që ata kanë potencial për më shumë dhe mund të bënim shumë më mirë. Kësisoj filluam me fitore dhe deri më tani ka shkuar çdo gjë mirë”.

“Kemi punuar shumë si në repartin ofensivë ashtu edhe në defensivë, ku tani kemi sulmin dhe mbrojtjen më të mirë në ligën ku jemi dhe mendoj që jemi në rrugë të mirë për të ecur tutje”, thotë Abazi.

Aktualisht Ferizaj zë vendin e parë në tabelë me 44 pikë, një më shumë se Prishtina e re, katër më shumë se Vjosa dhe shtatë më shumë se Ulpiana e vendit të katërt.

Pikërisht në tre sfidat e radhë Ferizaj do të takohet me ndjekësit më të afërt pasi pret Prishtinën e Re, luan në udhëtim te Vjosa dhe takohet me Ulpianën para adhuruesve të vet.

“Për ne çdo ndeshje është si finale, por sigurisht që këto tre duelet e ardhshme janë shumë të rëndësishme pasi takohemi me ndjekësit tanë dhe qëllimi është të marrim maksimumin e pikëve”.

“I kemi vendosur vetës një qëllim që mos të mposhtemi deri në fund dhe uroj që t’a dalim pa marrë parasysh nëse arrijmë më herët të sigurojmë ngjitjen apo jo. A do të pranoni barazim? Ne në çdo ndeshje futemi për fitore, por e kuptojmë që në futboll janë tre rezultatet dhe nuk i dihet asnjëherë, e rëndësishme është që mos të humbasim”, thotë Abazi.

Ferizaj është një nga klubet më të organizuara në Kosovë pa dyshim dhe sigurisht se të kesh ecuri të mirë të rezultateve duhet të kesh mbrapa edhe një kryesi të klubit që i qëndron mbrapa me pagesa të rregullta dhe premio.

Presidenti i Ferizajt, Lulzim Abazi njihet si një biznesmen shumë i suksesshëm dhe ai e ka dërguar klubin në një tjetër nivel sa i përket organizimit, derisa trajneri Arsim Abazi thotë se funksionojnë shumë mirë si grup kryesi, staf teknik dhe futbollistë.

“Sigurisht që të kesh rezultate të mira do të thotë se ke dikë nga mbrapa që ju përkrahë në maksimum. Jemi me fat që kemi një kryesi që na qëndron afër me pagesa të rregullta dhe shpesh herë edhe me premio për futbollistët në ndeshje të caktuara. Shumica e futbollistëve mbajnë familjet e tyre nga futbolli dhe nuk kemi pasur asnjëherë probleme”.

“Ne prej fillimit kemi pasur qëllimin ngjitjen në Superligë, pasi rënia nga elita e futbollit kosovar ka qenë aksidentale dhe nuk do të ndodhë më”, përfundon Abazi.

Haxhimusa: Kemi marrë ndeshjet me radhë, do ta arrijmë objektivin

Një nga futbollistët më të mirë të Ferizajt është edhe sulmuesi Betim Haxhimusa. Ai vendosi t’i qëndroj besnik klubit përkundër se rënë nga Superliga dhe kishte oferta.

Haxhimusa tani po shkëlqen me fanellën e skuadrës së qytetit dhe shënoi golin e dytë në fitoren e 10-të radhazi ku mposhtën Kikën me rezultat 2-1.

Në një prononcim për Telegrafin, sulmuesi ferizajas thotë se ka qenë vështië të arrihen 10 fitore radhazi, por nuk e kanë ndërmend të ndalen.

“Fitorja e 10 radhazi normal ka qenë shumë e vështirë të arrijmë deri këtu, por kemi marrë secilën ndeshje një nga një dhe kemi dhënë maksimumin. Duke parë grupin që kemi dhe përkushtimin, jam i bindur që do të vazhdojmë edhe gjatë në këtë mënyrë”, tha Haxhimusa për Telegrafin.

Ai foli edhe për ardhjen e trajnerit Arsim Abazi dhe ndryshimet që ai bëri në klub.

“Ndryshimi ka qenë se trajneri Arsim Abazi na ka njohur secilin futbollistë mirë dhe ka ditur me nxjerr maksimumin e çdo futbollisti. Ai ishte pjesë e jona edhe para se të bëhej trajner dhe e ka ditur saktë çka i duhet Ferizajt duke krijuar një mentalitet fitues”, vazhdoi tutje Haxhimusa.

31-vjeçari foli për formën e mirë që po kalon, por edhe për objektivin madhor që ka Ferizaj, rikthimin në elitën e futbollit kosovar.

“Përderisa po kemi suksese tregon që kam formë të mirë, jo vetëm unë, por të gjithë shokët e skuadrës janë në formë shumë të mirë”.

“I gjithë angazhimi ynë dhe fitoret që kemi arritur janë për të vetmin qëllim ta arrijmë Superligën. Jam i bindur që në fund falë punës së madhe dhe përkushtimit do t’ia dalim”, u shpreh sulmuesi ferizajas.

Hyseni: Ferizaj klub super i organizuar, rikthehemi në Superligë

Ferizaj u përforcua në afatin kalimtar të janarit edhe në pozitën e drejtorit sportiv.

Kjo pozitë i është besuar legjendës së futbollit ferizajas, ish-sulmuesit Genc Hyseni

Hyseni është i kënaqur me rikthimin te ‘Ujqit’ derisa është i bindur se do të rikthehen në Superligë.

“Jam shumë i lumtur me rikthimin tim te Ferizaj. Ferizaj është një nga klubet më të mëdha dhe më të organizuara në Kosovë dhe kemi objektiva të mëdha për të ardhmen”.

“Ecuria e deritanishme ka qenë fantastike dhe çdo gjë po shkon në mënyrë të pëkryer. Jam i bindur se do rikthehemi në Superligë, ku pastaj na presin gjëra edhe më të mira”, tha Hyseni.

Kur kanë mbetur edhe tetë ndeshje deri në fund të sezonit, Ferizaj do t’i luaj katër nga to në shtëpi ndaj Prishtinës së Re, Ulpianës, 2 Korrikut dhe Vushtrrisë, ndërkohë katër duelet e tjera do t’i kenë në udhëtim te Vjosa, Ramiz Sadiku, Flamurtari dheVllaznia e Pozhoranit. /Telegrafi/

Në trend Sport

Më shumë
Dalin pamje të reja që tregojnë veprimin që bëri Salah pas përfundimit të ndeshjes

Dalin pamje të reja që tregojnë veprimin që bëri Salah pas përfundimit të ndeshjes

Premier League
PSG po përgatitet t'ia rrëmbejë Real Madridit super lojtarin nga dora

PSG po përgatitet t'ia rrëmbejë Real Madridit super lojtarin nga dora

Ligue 1
Zbulohet favoriti për të fituar çmimin

Zbulohet favoriti për të fituar çmimin "Golden Boy"

Ndërkombëtare
Ish-legjenda e Liverpoolit tregon ‘arsyen e vetme’ që çoi tek përplasja e Salahut me Kloppin

Ish-legjenda e Liverpoolit tregon ‘arsyen e vetme’ që çoi tek përplasja e Salahut me Kloppin

Premier League
Pamje të reja nga përplasja e Salahut me Kloppin tregojnë saktësisht se çfarë ka ndodhur

Pamje të reja nga përplasja e Salahut me Kloppin tregojnë saktësisht se çfarë ka ndodhur

Premier League
Dikur luanin së bashku tek Real Madridi, Xabi Alonso tani e do transferimin e tij tek Leverkuseni

Dikur luanin së bashku tek Real Madridi, Xabi Alonso tani e do transferimin e tij tek Leverkuseni

Bundesliga
Kalo në kategori