32 milionë eurot e NPB-së, LVV i reagon Ramës: Po gënjen për përgjegjësinë

Përplasja politike rreth situatës në Ndërmarrjen Publike Banesore (NPB) në Prishtinë ka vazhduar edhe sot, pasi asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje në kryeqytet kanë reaguar ndaj deklarimeve të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, lidhur me obligimin prej mbi 32 milionë eurosh që rrezikon ndërmarrjen.
Rama, së bashku me nënkryetarët Florian Dushi dhe Besiana Musmurati, një ditë më parë kërkoi hetim të plotë dhe të paanshëm për kontratën e NPB-së në Lakrishtë, të lidhur në vitin 2021. Sipas Komunës, kompania me të cilën ishte lidhur kontrata ishte themeluar vetëm një javë para shpalljes së procesit publik.
Në një konferencë për media, asamblistët e LVV-së kanë akuzuar Ramën se po paraqet në mënyrë të pavërtetë përgjegjësitë për gjendjen e NPB-së dhe kanë thënë se për këtë çështje kanë ngritur shqetësime prej vitesh.
Asamblisti Egzon Azemi tha se LVV-ja kishte paralajmëruar vazhdimisht për problemet në NPB, duke pretenduar se kërkesat e tyre për trajtimin e çështjes në Kuvendin Komunal ishin bllokuar nga partitë e tjera.
“Kemi paralajmëruar publikisht për dëmin që po i shkaktohet NPB-së, kemi mbajtur dhjetëra konferenca e dhjetëra prononcime për këtë skandal, por për vite të tëra, pothuajse në çdo seancë që kemi kërkuar ta fusim si pikë në Kuvendin Komunal, jemi bllokuar nga PDK, AAK dhe LDK”, tha Azemi.
Ai kritikoi gjithashtu Komunën e Prishtinës për mungesën e përfaqësuesit të saj ligjor në procesin gjyqësor, duke thënë se çështja tashmë ndodhet në shkallë të dytë.
“Në një proces ku sot flitet për 32 milionë euro që tashmë, sipas vendimit të shkallës së dytë, Ndërmarrja Publike i ka obligim ndaj operatorëve privatë, Komuna nuk e ka dërguar as përfaqësuesin e vet ligjor në seancën ku po shqyrtoheshin provat dhe ku u dha fjala përfundimtare”, deklaroi Azemi.
Sipas tij, kjo tregon, siç e quajti ai, “hipokrizinë” e kryetarit Rama.
Ndërkaq, asamblisti tjetër i LVV-së, Çlirim Gërbeshi, tha se gjatë konferencës së Ramës ishte sulmuar vazhdimisht Vetëvendosje, ndonëse, sipas tij, kjo parti e kishte ngritur çështjen e NPB-së prej vitit 2018.
“Lëvizja Vetëvendosje me asamblistët e saj që nga viti 2018 e kanë ngritur këtë çështje dhe këtë shqetësim”, tha Gërbeshi.
Ai pretendoi se menaxhmentet e kaluara, së bashku me PDK-në dhe LDK-në, e kanë sjellë NPB-në në situatën aktuale.
“Shpendi bashkë me PDK-në e LDK-në e kanë çuar këtë ndërmarrje drejt falimentimit”, deklaroi Gërbeshi.
Përplasja vjen një ditë pasi Rama kërkoi hetim për kontratën në Lakrishtë dhe tha se procesi ishte zhvilluar gjatë kohës kur Vetëvendosje udhëhiqte Prishtinën, duke theksuar se administrata e tij nuk kishte qenë pjesë e inicimit, negocimit apo nënshkrimit të kontratës.
Kështu, çështja e mbi 32 milionë eurove të pretenduara si obligim i NPB-së ka rikthyer përplasjet politike mes drejtimit aktual të Komunës së Prishtinës dhe asamblistëve të LVV-së, me palët që ia atribuojnë njëra-tjetrës përgjegjësinë për situatën e krijuar





































