Përplasje për NPB-në, Rama kërkon hetim për detyrimin mbi 32 milionë euro - përgjigjet LVV

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, së bashku me nënkryetarët Florian Dushi dhe Besiana Musmurati, kanë kërkuar hetim të plotë dhe të paanshëm lidhur me një kontratë të Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB), të lidhur në vitin 2021.
Sipas Kryeqytetit, kompania me të cilën ishte lidhur kontrata ishte themeluar vetëm një javë para shpalljes së procesit publik.
Komuna thekson se qeverisja aktuale nuk e ka iniciuar, negociuar apo nënshkruar kontratën. Sipas saj, dokumentet zyrtare përmbajnë datat, nënshkrimet dhe emrat e personave përgjegjës për vendimet e marra në vitin 2021.
Rama ka deklaruar se NPB-ja rrezikon të ngarkohet me mbi 32 milionë euro për “fitim të humbur”, për shkak të mosrealizimit të projektit.
Kryeqyteti ka kërkuar që të sqarohet se cili veprim konkret i NPB-së pretendohet se ka shkaktuar mosrealizimin e projektit dhe mbi çfarë baze është përllogaritur kjo shumë.
Drejtuesi i grupit të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Gëzim Sveçla, ka reaguar pas kërkesës së Kryeqytetit për hetim të plotë dhe të paanshëm lidhur me çështjen e Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB).
Përmes një postimi në Facebook, Sveçla ka akuzuar qeverisjen komunale të Prishtinës, të drejtuar nga Përparim Rama, se po përpiqet ta bartë përgjegjësinë te LVV-ja dhe Qeveria për situatën në NPB.
“Për NPB-në, faktet kanë kronologji”, ka shkruar Sveçla, duke thënë se LVV-ja e ka kundërshtuar procesin që nga fillimi, ka paralajmëruar për dëmin që mund t’i shkaktohej NPB-së, ka bërë kallëzim penal dhe ka ngritur padi.
Sipas tij, për rreth tri vjet, LVV-ja ka kërkuar debat në Kuvendin Komunal për këtë çështje, por, siç pretendon ai, PDK-ja dhe LDK-ja e kanë pamundësuar një debat të tillë.
Sveçla ka kritikuar edhe kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, duke thënë se gjatë më shumë se katër viteve në krye të komunës nuk ka ndërmarrë veprime për mbrojtjen e NPB-së dhe pronës publike.
Ai ka ngritur akuza edhe ndaj PDK-së, duke pretenduar se kjo parti ka pasur rol vendimtar në udhëheqjen e NPB-së, përmes aksionarëve, Bordit dhe kryeshefit, ndërsa ka përmendur edhe angazhimin e një avokati të Grupit Parlamentar të PDK-së në mbrojtjen ligjore të NPB-së në këtë kontest.Ndërkohë, NPB-ja ka reaguar ndaj pretendimeve se nuk e ka kundërshtuar ekspertizën financiare. Ndërmarrja thotë se gjatë procedurës gjyqësore ka kundërshtuar si bazën e kërkesës për “fitim të humbur”, ashtu edhe ekspertizën financiare.
Sipas NPB-së, eksperti financiar nuk është ekspert i aktuaristikës, ndërsa përllogaritja e fitimit të humbur kërkon vlerësim të projeksioneve të ardhshme, rreziqeve dhe pasigurive financiare.
“Pretendimi se NPB nuk e ka kundërshtuar ekspertizën financiare nuk qëndron”, thuhet në reagimin e ndërmarrjes.
Në anën tjetër, shefi i asamblistëve të LVV-së, Gëzim Sveçla, ka akuzuar Komunën se nuk e ka dërguar përfaqësuesin ligjor në seancë, ndërsa ka pretenduar se avokati i NPB-së nuk e ka kundërshtuar lartësinë e ekspertizës financiare.
Kryeqyteti ka kërkuar nga Prokuroria Speciale që të hetojë të gjitha dokumentet, vendimet dhe nënshkrimet që lidhen me procesin, me qëllim të përcaktimit të përgjegjësive individuale dhe institucionale.
Po ashtu, janë kërkuar sqarime lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës të 12 gushtit për shpronësimin e parcelës në Lakrishte, çështje që, sipas Komunës, vazhdon të jetë pjesë e një kontesti gjyqësor./Telegrafi/




































