LAJMI I FUNDIT:

ZRRE: Jo gjithmonë arsyet e ndërprerjes së rrymës janë për shkak të mirëmbajtjeve

ZRRE: Jo gjithmonë arsyet e ndërprerjes së rrymës janë për shkak të mirëmbajtjeve

Reduktimet e rrymës nga ana e KEDS-it sidomos gjatë periudhës së dimrit kanë qenë më të theksuara në disa zona, e për këto reduktime KEDS-i dhe KESCO janë duke u monitoruar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE).

Zyrtarët e ZRRE-së kanë thënë për Telegrafin se nëse vërehen se reduktimet e rrymës kanë qenë jo për shkak të mirëmbajtjeve të domosdoshme, atëherë ata do të marrin masa.

Zëdhënësja e ZRRE-së Adelina Murtezaj ka thënë për Telegrafin se jo gjithherë reduktimet e energjisë elektrike nga ana e KEDS-it kanë qenë për shkak të mirëmbajtës së rrjetit.

Temperaturat e ulëta dhe mungesa e alternativave për ngrohje rriti konsumin e rrymës
Lexo po ashtu Temperaturat e ulëta dhe mungesa e alternativave për ngrohje rriti konsumin e rrymës

Ajo ka bërë të ditur se ZRRE u ka dërguar vërejtje KEDS-it dhe KESCO-s për reduktimet e rrymës.

“Më 23 nëntor 2018, ZRRE i ka tërhequr vërejtjen dhe ka kërkuar nga Operatori i furnizimit me energji elektrike (KESCO) dhe ai për distribuim të energjisë (KEDS) ndërprerjen e menjëhershme të reduktimeve dhe mos aplikim të ndërprerjeve të planifikuara të energjisë elektrike në emër të mirëmbajtjes gjatë sezonit të dimrit, me përjashtim të mirëmbajtjeve të domosdoshme pa të cilat mund të rrezikohet sistemi apo siguria e furnizimit me energji elektrike. Me këtë qëllim, ZRRE me intensitet të shtuar është duke monitoruar të gjithë operatorët në mënyrë që të sigurohet se janë duke u respektuar ligjet dhe kushtet e licencave që kanë këta operatorë”, tha zëdhënësja e ZRRE-së, Adelina Murtezaj.

Ajo tregon se përveç mirëmbajtës së rrjetit reduktimet e rrymës kanë ndodhur edhe për shkak të kushteve atmosferike dhe ngarkesave në rrjetë.

“Nga monitorimet e ZRRE, vërehet se jo gjithmonë arsyet e ndërprerjes së furnizimit me energji janë për shkak të riparimeve apo mirëmbajtjeve. Shpesh ndërprerjet e furnizimit me energji elektrike ndodhin edhe për shkak të motit të keq, ndërprerjeve të paplanifikuara të gjeneratorëve apo ngarkesave të rrjetit në zona të caktuara gjatë ditëve kur mbretërojnë kushte të vështira atmosferike”, tha Murtezaj.

Ajo ka treguar se ZRRE-ja është në proces të monitorimit të vazhdueshëm të operatorëve të licencuar dhe në rast se vërehen shkelje të kushteve të licencave do të ndërmerren masa në përputhje me ligjet dhe rregullat në fuqi.

Lluka: Ndërprerja e rrymës shkak i mbingarkesës, KEDS-i mund të gjobitet
Lexo po ashtu Lluka: Ndërprerja e rrymës shkak i mbingarkesës, KEDS-i mund të gjobitet

Se KEDS-i mund të gjobitet për reduktime ka thënë edhe ministri i zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka gjatë një interviste për Ekonomia Online.

“Rastet e tilla kur verifikohet një gjë e tillë atëherë KEDS-i penalizohet nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë me një gjobë më duket është diku deri në 45
mijë euro për rast dhe këtë për ta ngritur vetëdijen kemi dashtë ta mobilizojmë të gjithë së bashku, pra qytetarët, zyra e rregullatorit, unë edhe KEDS-i që ta shikojmë se si është”, kishte thënë Lluka.

Ndryshe, me reduktime më të theksuar ishin përballur Fushë Kosova, Suhareka si dhe një pjesë e Prishtinës. /Telegrafi/