LAJMI I FUNDIT:

ZKA: Sistemi i licencimit të hidrocentraleve është funksional, por ka mangësi të theksuara

ZKA: Sistemi i licencimit të hidrocentraleve është funksional, por ka mangësi të theksuara

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e auditimit të performancës “Sistemi i licencimit të hidrocentraleve dhe monitorimi i tyre mbi ndikimin në mjedis dhe ujëra”, i cili për qëllim kishte vlerësimin e menaxhimit të sistemit të licencimit të hidrocentraleve.

Subjektet e auditimit ishin Zyra e Rregullatorit të Energjisë, Ministria e Ekonomisë, Ministria e Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, përderisa në nivel lokal, subjekt i auditimit ishin Komuna e Deçanit, Komuna e Mitrovicës, Komuna e Dragashit dhe Komuna e Shtërpcës.


Auditimi përfshin periudhën 2016 – 2021 dhe konstaton se institucionet e audituara kanë të vendosur një sistem të licencimit të hidrocentraleve, i cili është funksional, por që karakterizohet me mangësi të theksuara në zbatimin e kritereve, i cili nuk siguron shfrytëzim efikas të ujërave në vend dhe menaxhim e mbrojtje të duhur të tyre dhe të mjedisit.

Raporti thekson se ka mungesë të koordinimit të palëve për arritjen e caqeve të prodhimit të energjisë elektrike nga burimet e ripërtëritshme, zbatimit të kritereve nga ZRRE-ja për licencimin e hidrocentraleve, mungesën e zbatimit të kritereve për mbrojtjen e mjedisit nga MMPHI-ja, dobësitë në përcjelljen e veprimtarisë së hidrocentraleve nga Inspektorati i MMPHI-së, dështimi në zbatimin e koncesionimit për dhënien e të drejtës ujore për shfrytëzim të ujit për prodhim, dështimi në hartimin e Planit për Menaxhimin e Pellgjeve, etj.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, lidhur me këtë auditim ka deklaruar se institucionet përgjegjëse duhet të sigurojnë se licencimi i hidrocentraleve bëhet në pajtueshmëri të plotë me kërkesat ligjore, ofrojnë transparencë dhe sigurojnë mbrojtje të ujërave dhe mjedisit.

Objektivat strategjike të përcaktuara lidhur me arritjen e caqeve/synimeve për prodhimin e energjisë së ripërtëritshmedhe duhet të monitorohen në mënyrë sistematike dhe aty ku është e nevojshme të merren masa për përmirësim.

Koordinimi dhe bashkëpunimi mes insitucioneve publike është mëse i domosdoshëm me qëllim që të rritet llogaridhënia dhe transparenca si në menaxhimin e licencimeve e po ashtu edhe në mbrojtjen e mjedisit, përkatësisht ujërave.

Për rregullimin e sistemit të licencimit të hidrocentraleve dhe mbrojtjen e ujërave dhe mjedisit është dhënë 1 rekomandim për Qeverinë e Kosovës, 2 rekomandime për Zyrën e Rregullatorit të Energjisë dhe 8 rekomandime për Ministrinë e Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturë dhe inspektoratin e saj, thuhet në komunikatë.