LAJMI I FUNDIT:

Zhbllokohen eksportet e Shqipërisë me Maqedoninë

Zhbllokohen eksportet e Shqipërisë me Maqedoninë

Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave Edmond Panariti deklaroi të hënën se, janë zhbllokuar eksportet e produkteve bujqësore shqiptare me Maqedoninë.

Në një intervistë për mediat, sipas ATSh-së, ministri Panariti njoftoi se “tashmë kamionët e bllokuara do të kalojnë, ndërsa ndalimi i tyre në kufi ka qenë pa asnjë arsye”.


“Kontaktova me Ministrinë e Ekonomisë të Maqedonisë, dhe tashmë 5 kamionët shqiptarë kanë kaluar doganën”-tha Panariti.

Ndërsa vuri në dukje se, sot në mbledhjen e qeverisë maqedonase do të diskutohet problemi i bllokimit të kamionëve shqiptarë në kufi.

Ministri Panariti theksoi se, pas analizave të kryera, prodhimet tona bujqësore rezultuan të pastra.

“Të zbatojmë marrëveshjen e tregtisë së lirë për të mos krijuar pengesa në qarkullimin e mallrave bujqësore. Mosrrespektimi i kësaj marrëveshje krijon dëme të pallogaritshme te fermerët dhe tregtarët, të cilat nuk mund të respektojnë kontraktat e lidhura paraprakisht”-tha Panariti.

Ndër të tjera ministri pohoi se shpreson që mos të ketë më raste të tilla që përsëriten. /Telegrafi/