LAJMI I FUNDIT:

Zharku: Nga viti 2019 Kosova do ta menaxhojë vetë hapësirën ajrore

Zharku: Nga viti 2019 Kosova do ta menaxhojë vetë hapësirën ajrore

Hapësirën ajrore të Kosovës aktualisht e menaxhon Hungaria dhe do të bazhdojë ta bëjë këtë deri në vitin 2019, kur i përfundon mandati i saj për ofrimin e këtyre shërbimeve. Ndërkaq pas prillit të vitit 2019, Kosova do të jetë e gatshme ta menaxhojë vetë hapësirën ajrore.

Në këtë aspekt gjatë këtij viti është funksionalizuar Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror, për kryerjen e shërbimeve sa më cilësore në fushën e navigacionit ajror, por që i përcjell te kontrolli hungarez.


Kështu ka deklaruar ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, gjatë një interviste dhënë për Agjencinë e Lajmeve EkonomiaOnline.

“…Ne përpos gatishmërisë tonë politike, po punojmë edhe në anën teknike në plotësimin e të gjitha kushteve që Kosova ta kontrollojë hapësirën ajrore pas prillit të vitit 2019…”, ka thënë ministri Zharku.

Me marrëveshjen e Kumanovës, Kosova ka vetëm një hyrje dhe dalje ajrore përmes Maqedonisë, ndërsa rrugët tjera janë të ndërprera.

Ndonëse Serbia po i krijon probleme Kosovës në procesin e normalizimit të hapësirës ajrore, ministri Zharku ka thënë se po diskutohen të gjitha opsionet dhe se në momentin që të marrin kontrollin mbi hapësirën ajrore të Kosovës, do të ketë edhe normalizim të të gjitha hyrjeve dhe daljeve në Kosovë.

Po ashtu, ka folur edhe për Strategjinë për zhvillimin e Aeroportit të Gjakovës. Ndërkaq do të kuptoni se a ka përkufizime në kontratën e koncesionerit të Aeroportit të Prishtinës për operimin e një aeroporti tjetër, si dhe kur mund të kërkojë dëmshpërblim koncesioneri aktual.

Gjatë intervistës ministri ka treguar se kur do të fillohet me pagesën e autostradave dhe se cila do të jetë taksa.

Ai ka folur edhe për projektet tjera infrastrukturore, investimet në linjat hekurudhore që lidhin Kosovën me Shqipërinë, Ligjin e Ri për Rregullat e Trafikut Rrugor, etj.