LAJMI I FUNDIT:

Zgjedhjet lokale në tërë Kosovën – t’i lihen OSBE-së

Marrëveshja e pritshme Beograd-Prishtinë rreth veriut të Kosovës pritet të përfshijë edhe marrjen përsipër të organizimit të zgjedhjeve në veri të Kosovës nga ana e OSBE-së. Natyrisht, ky është një kompromis që nuk na nderon, por për këtë çështje nuk shoh zgjidhje tjetër.

Organizimi i zgjedhjeve nga OSBE në veri të Kosovës dhe nga Komisioni Qendror Zgjedhor i Kosovës në jug të Kosovës, paraqet de-fakto një ndarje të Kosovës.


Për t’iu shmangur kësaj, autoritetet kosovare (Presidentja dhe Parlamenti i Kosovës) duhet të kërkojnë që kësaj radhe dhe për këtë arsye OSBE të marrin përsipër zgjedhjet në tërë Kosovën. Kësisoj shmanget trajtimi i veçantë i veriut.

Kjo gjë është e rëndësishme jo vetëm nga ana formale, por edhe nga ajo substanciale. Në vitet e pavarësisë ne dëshmuam se nuk jemi të zotë të organizojmë zgjedhje të rregullta të pakontestuara. Rrjedhimisht legjitimiteti i institucioneve është zbehur dhe zbehet akoma.

Në anën tjetër organizimi i zgjedhjeve në veri të Kosovës nga OSBE-ja u jep institucioneve në veri të Kosovës jo vetëm legjitimitet brenda Kosovës, po edhe legjitimitet ndërkombëtar. Kjo i bënë institucionet në veri me të fuqishme se ato në Prishtinë.

Imagjinoni ndonjë debat hipotetik kur ta zëmë, kryetari i Zveçanit t’i thotë ndonjë funksionari në Prishtinë: “Unë jam zgjedhur me vota të popullit e jo si ti me vota të vjedhura”.

Kjo bënë që institucionet në veri të Kosovës të jenë dominuese karshi institucioneve në Prishtinë. Prandaj, është e nevojshme që legjitimiteti të jetë i një rrafshi.

Organizimi nga ana e OSBE ndoshta zvogëlon mundësinë e manipulimit, por nuk e përjashton atë. Jemi dëshmitarë se shumë nga ndërkombëtarët në Kosovë janë korruptuar dhe kjo mund të ndodhë edhe me rastin e zgjedhjeve.

Fakti se zgjedhjet e pasluftës në Kosovë të organizuara nga OSBE-ja kanë qenë më të rregulltat në rajon, nuk do të thotë se të tilla do të jenë edhe më 2013. Pas luftës, partitë nuk kishin para, tani si rezultat i korrupsionit partitë kanë para dhe mund t’i korruptojnë edhe zyrtarët e OSBE-së. Kështu që, në këtë aspekt, duhet pasur kujdes dhe ata që janë të interesuar për mbarëvajtjen e proceseve demokratike në Kosovë duhet të bëjnë kujdes.

Ata që janë të interesuar që të mos ketë hajni të votave, pa marrë parasysh a i organizon OSBE apo Komisioni Qendror Zgjedhor i Kosovës, duhet të insistojnë që zgjedhjet lokale në Kosovë të mbahen në shtator 2013. Kjo sado-kudo zvogëlon mundësinë e vjedhjes së votave. Koha ka gjasë të jetë më e mirë, ora është verore, që do të thotë kur të mbyllen kutitë e votimit akoma ka dritë me diell dhe shumë rrethana të tjera favorizojnë rregullsinë në raport me manipulimin.

Kështu, partitë që nuk janë të interesuara ta vjedhin votën e popullit, duhet që tani të kërkojnë nga presidentja e Kosovës caktimin e datës së zgjedhjeve për 15 shtator. Ato që tentojnë ta shtyjnë datën e zgjedhjeve për më vonë, do të dëshmohen se janë të interesuara për vjedhje të votës.