Zgjedhja e Presidentit, Haxhiu fton liderët e subjekteve politike në takim të përbashkët të martën

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka ftuar liderët e partive politike ose përfaqësuesit e tyre në një takim konsultativ të martën, më 18 gusht, në orën 09:00.
Ftesën e ka konfirmuar Presidenca e Kosovës, ndërsa ajo u është dërguar veçmas përfaqësuesve të subjekteve politike.
Në ftesë thuhet se takimi lidhet me zhvillimet aktuale politike dhe institucionale, si dhe me arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e një presidenti konsensual.
“Në cilësinë e Ushtrueses së Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, ju ftoj në një takim konsultativ lidhur me zhvillimet aktuale politike dhe institucionale, si dhe me rëndësinë e arritjes së një marrëveshjeje për zgjedhjen e një Presidenti konsensual dhe, rrjedhimisht, për formimin e institucioneve të tjera kushtetuese”, thuhet në ftesë.
Takimi do të mbahet në Zyrën e Presidentes, ndërsa të ftuarve u është kërkuar që të konfirmojnë pjesëmarrjen e tyre ose të përfaqësuesit të subjektit politik.
Ndryshe, ftesa vjen pasi Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se është e gatshme ta votojë një president konsensual./Telegrafi/








































