Zemaj: LVV kërkon fatin te LDK, mua s'guxon të më kontaktoj askush jashtë subjektit tim
Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje fatin e tyre politik e kërkojnë te LDK-ja, por kur flasin për pushtetin atëherë flasin me egon e fituesit.
Zemaj ka thënë se fajtori kryesor i gjendjes së krijuar politike në vend është LVV.
“LDK është i vetmi subjekt politik, parlamentar që ka dhënë qëndrim dhe ka dhënë zgjidhje për të dalë nga kjo situatë dhe për të mundësuar formimin e institucioneve të reja. Të tjerët më shumë kanë folur për dëshira ose koncepte që në fund të fundit vetëm kanë vazhduar ngërçin. Fajtori kryesor i kësaj gjendje është LVV sepse ajo i ka numrat më të mëdhenj të deputetëve”, ka thënë Zemaj.
Zemaj ka thënë se ata (LVV) zgjidhjen po e kërkojnë qoftë me joshje ose gjana tjera, por nuk janë të interesuar për ndonjë marrëveshje politike.
I pyetur rreth deklarimeve se LVV ka kontaktuar disa deputetë të LDK-së që t’i bashkohen subjektit në fjalë, Zemaj tha se ai personalisht nuk është kontaktuar.
“Unë nuk jam kontaktuar, dhe nuk guxon askush të më kontaktoi jashtë subjektit tim politik sepse votën e kam marrë nga elektorati i LDK-së dhe atij i qëndroj besnik. Mënyra sesi është trajtuar kërkesa individuale ndaj deputetëve është pandershme e pamoralshme”, tha Zemaj.
Zemaj u shpreh se nëse ka dikush marrëveshje duhet të jetë publike, ato tinëzare i takojnë së kaluarës. /Telegrafi/






























