Zelensky pret takim me Trumpin në shtator, Ukraina kërkon Patriotët dhe një paketë të re dimërore

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se pret të takohet me presidentin amerikan Donald Trump deri në fund të shtatorit, ndërsa Uashingtoni po intensifikon përpjekjet për rikthimin e negociatave që synojnë përfundimin e luftës Rusi-Ukrainë.
Një prej çështjeve kryesore që Zelensky dëshiron të ngrejë në takimin me Trumpin është mungesa e raketave të avancuara për mbrojtjen ajrore, veçanërisht interceptorëve për sistemet Patriot.
Kievi po kërkon nga SHBA-ja një “paketë dimërore” të re, e cila do të përfshinte raketa kundërajrore dhe veçanërisht interceptorë të aftë për të përballuar sulmet me raketa balistike.
Zelensky tha se gjatë vizitës së fundit në Kiev, të dërguarit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner u informuan në detaje për nevojat e Ukrainës dhe për kohën kur këto armë nevojiten.
“Po llogaris në një takim me presidentin Trump, ku do ta ngre këtë çështje dhe, me ndihmën e Zotit, do të kemi rezultat”, deklaroi Zelensky.
Krahas çështjes së mbrojtjes ajrore, presidenti ukrainas dha sinjale se Kievi po përgatitet për një format të ri trilateral negociatash, ku do të merrnin pjesë Ukraina, SHBA-ja dhe Rusia.
Zelensky nuk zbuloi detaje të plota, por tha se Ukraina dhe pala amerikane fillimisht do t'i përgatisin propozimet dhe më pas do t'i bëjnë publike.
Ndër vendet që mund të presin një takim të tillë janë përmendur Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Zvicra, ndërsa disa shtete të tjera kanë ofruar gjithashtu të presin bisedimet.
Në tryezën e negociatave mund të jenë infrastruktura energjetike, eksportet e grurit dhe çështjet humanitare, veçanërisht shkëmbimi i të burgosurve të luftës.
Zelensky ka insistuar se negociatat nuk duhet të kufizohen vetëm në deklarata, por duhet të prodhojnë rezultate konkrete.
Zelensky gjithashtu bëri të qartë se përpjekjet diplomatike të udhëhequra nga SHBA-ja nuk duhet ta lënë Evropën jashtë procesit.
Sipas tij, shtetet evropiane kanë interes të drejtpërdrejtë në rezultatin e luftës dhe duhet të marrin pjesë në çdo format të ardhshëm negociatash.
Kjo lidhet jo vetëm me përfundimin e luftës, por edhe me sigurinë e Evropës, anëtarësimin e ardhshëm të Ukrainës në BE, rindërtimin e vendit dhe garancitë e sigurisë pas luftës.
Në të njëjtën kohë, Ukraina po zhvillon bisedime me SHBA-në për licencimin e prodhimit të raketave Patriot, në një përpjekje për të reduktuar varësinë e saj nga furnizimet amerikane.
Sipas Zelenskyyt, diskutimet po zhvillohen si mes ekipeve qeveritare, ashtu edhe në nivel të kompanive prodhuese. Presidenti ukrainas tha se Trump ka reaguar pozitivisht ndaj kësaj ideje, por Kievi dëshiron që procesi të përshpejtohet.
Për momentin, megjithatë, prioriteti urgjent është sigurimi i raketave të mjaftueshme për të përballuar sulmet ruse gjatë dimrit.
Në mbështetje të kësaj përpjekjeje, Britania e Madhe ka njoftuar një paketë prej 100 milionë funtesh për forcimin e mbrojtjes ajrore të Ukrainës gjatë dimrit.
Paketa do të përfshijë pajisje amerikane, përfshirë raketa Patriot, interceptorë të tjerë, municione artilerie dhe dronë. Pajisjet do të dërgohen përmes një mekanizmi të NATO-s për blerjen e armatimit amerikan.
Kievi ka kërkuar deri në 300 interceptorë Patriot, pasi raketat balistike ruse mbeten ndër kërcënimet më të vështira për t'u neutralizuar.
Deklaratat e Zelenskyt erdhën në një ditë kur Rusia kreu një valë të re sulmesh me dronë dhe raketa ndaj Kievit, menjëherë pas një pauze të shkurtër gjatë vizitës së të dërguarve amerikanë.
Sulmet shkaktuan viktima dhe dhjetëra të plagosur, ndërsa u dëmtuan ndërtesa banimi dhe infrastruktura publike. Një goditje me dron dëmtoi rëndë edhe një ndërtesë të një televizioni ukrainas në Kiev.
Zelensky e përdori sulmin për të argumentuar se Ukraina ka nevojë urgjente për më shumë mbrojtje ajrore dhe se presioni ushtarak duhet të shoqërojë përpjekjet diplomatike. /Telegrafi/





































