LAJMI I FUNDIT:

Zelensky dhe shefja e FMN-së diskutojnë për ‘rindërtimin e pasluftës’ të Ukrainës

Zelensky dhe shefja e FMN-së diskutojnë për ‘rindërtimin e pasluftës’ të Ukrainës

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky njofton se ka biseduar me drejtoreshën e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Kristalina Georgieva për stabilitetin financiar të vendit dhe rindërtimin pas shkatërrimit të bërë nga agresioni ushtarak rus.

Sipas tij, bashkëpunimi me FMN-në do të jetë i frytshëm.

“Kam biseduar me drejtoreshën e FMN-së Georgieva për sigurimin e stabilitetit financiar të Ukrainës dhe përgatitjet për rindërtimin e pasluftës. Tani për tani kemi plane të qarta, si dhe një vizion perspektivash. Jam i sigurt se bashkëpunimi mes FMN-së dhe Ukrainës do të vazhdojë të jetë i frytshëm”, shkroi Zelensky në Twitter.

Ndërsa, Georgieva ka theksuar se mbështetja ekonomike nga partnerët është thelbësore për rindërtimin e Ukrainës.

“Mbështetja e vazhdueshme ekonomike nga partnerët e Ukrainës është thelbësore për të hedhur themelet për rindërtimin e një Ukraine moderne e konkurruese”, thekson ajo.

Më herët, kryeministri ukrainas Denys Shmyhal njoftoi se do të merr pjesë në takimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore në Washington, ku do të kërkojë ndihmë financiare shtesë për rindërtimin e vendit. /Telegrafi/