LAJMI I FUNDIT:

Z. Kryeministër, Qeveria juaj nuk ka mundur ta ndalojë migrimin ilegal!

Z. Kryeministër, Qeveria juaj nuk ka mundur ta ndalojë migrimin ilegal!

Pas fluksit të madh të ikjeve të qytetarëve të Kosovës në fund të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti, grupi parlamentar i AAK-së pati dalë me një rezolutë për pengimin e migrimit ilegal të qytetarëve të Kosovës, e cila edhe gjeti përkrahjen në Kuvendin e Kosovës dhe u miratua. Por, për hir të së vërtetës, nga kjo rezolutë nuk është bërë as edhe një hap i vetëm konkret për realizimin e ndonjë nga pikat e saja.

E, qytetarëve të Kosovës kontributi juaj në ndaljen e migrimit më së shumti u kujtohet përmes asaj deklaratës tuaj të famshme z. kryeministër, se "të gjithë ata që po ikin kanë Iphone" dhe po ikin nga qejfi.


Qeveritë e shteteve evropiane, sidomos Hungaria, nga mos angazhimi ynë u detyruan që të mbyllin kufijtë e tyre edhe me tela gjemborë për të ndaluar migrimin ilegal, gjë që edhe dha rezultatet e saja në ndalimin e migrimit të madh. Por, për hir të vërtetës, qytetari i Kosovës edhe sot, për shkak të jetës së rënduar çdo ditë e më shumë, papunësisë e mbi të gjitha humbjes së shpresës, të rinjtë nga Kosova po gjejnë lloj-lloj rruge për të migruar. Shumë qytetarë të Republikës së Kosovës edhe sot paguajnë me mijëra euro nga buxhetet e rënduara të familjeve kosovare, shpesh edhe duke u zhytur në borxhe e kredi, për të siguruar një vizë udhëtimi apo edhe ikje përmes rrugëve ilegale "në të zezë" drejt shteteve të BE-së.

Mjafton të shikojmë raportet e Policisë gjermane, franceze apo shteteve tjera për numrin e azilkërkuesve kosovarë, për të kuptuar të vërtetën e hidhur, të kundërtën e asaj që deklaroi kryeministri dje më 24.11.2015.

Një tjetër zhvillim i rëndësishëm është edhe trajtimi i të riatdhesuarve, ku shumica e tyre nuk kanë as ku të kthehen e lërë më të fillojnë një jetë së paku me kushtet elementare të jetës. Qeveria e Kosovës nuk ka bërë asgjë, ose ka bërë shumë pak që atyre që kthehen t’u mundësojë të fillojnë një jetë normale.

Migrimi i shumë qytetarëve është kryesisht i motivuar nga gjendja e rëndë sociale, papunësia dhe humbja e shpresës, prandaj Qeveria jonë duhet të fokusohet në këto tema e jo në gënjeshtra të njëpasnjëshme.

Qeverisja jo kualitative, mungesa e planeve ekonomike afatgjate, mungesa e investimeve, mungesa e garancive për një jetë dinjitoze njerëzore, si dhe shumë argumente tjera, janë fakte serioze që e detyrojnë qytetarin e Kosovës të marrë rrugët, shpesh edhe me rrezik për të ikur drejt vendeve të BE-së ose edhe vende tjera.

Qeveria e Kosovës duhet urgjentisht të gjejë forma për të ndaluar këtë ikje, e cila jo vetëm dëmton Kosovën në Integrimet në institucionet evropiane, në liberalizimin e vizave, por e dëmton pariparueshëm edhe në raportin e mbrendshëm.

Përmbushja e pikave të Rezolutës për Pengimin e Migrimit Ilegal të qytetarëve të Kosovës, së miratuar në Kuvendin e Kosovës, do të ishte një nismë e mbarë, një fillim i mirë për ndaljen e ikjes së mëtutjeshme të qytetarëve të Kosovës. Çdo deklaratë tjetër, nëse nuk fillojnë të merren hapa konkretë për ndalimin e kësaj dukuria, janë vetëm edhe një gënjeshtër e radhës nga ana e qeveritarëve tanë.

(Autori është udhëheqës i Departamentit për Diasporën dhe anëtar i Kryesisë së AAK-së)