LAJMI I FUNDIT:

Xherdan, Granit, Valon… ju jeni kampionët tanë të Botërorit!

Xherdan, Granit, Valon… ju jeni kampionët tanë të Botërorit!

Luajtën ndaj lojtarëve më të mirë në botë, apo kundër disa prej të cilëve që thuhet se kanë teknikën më të mirë në botë.

Dhe, performuan shumë mirë. Jashtëzakonisht mirë. Aq mirë sa që edhe në fund, Ezequiel Lavezzi dhe i gjithë kombi argjentinas i luteshin Zotit për t’u kualifikuar në çerekfinale. Kjo sepse topin e kishte pranë vetes Xherdan Shaqiri, lojtari që e quanin “Messi i Alpeve”.


Por, që nga sot ky krahasim apo epitet nuk vlen më. Sepse, unë mendoj se “Shaqiri i Andeve” apo “Shaqiri Latino-amerikan” është vet Lionel Messi.

Shaqiri i tregoi Messit se si luhet futbolli dhe bartet ekipi për 118 minuta lojë mbi supet e veta me një futboll shumë sulmues dhe tentativ. Mirëpo, çka të duhet kjo kur nuk je klinik (konkret)? Kur nuk ke fat? Apo kur portieri argjentinas po ashtu “me fat” shpëtoi kombin e tij? E pakuptueshme.

Zvicra e dominoi ndeshjen ndaj Argjentinës dhe nuk ishte ky dominim në posedim, sikurse futbolli bezdisës e shumë monoton i Spanjës dhe i Barcelonës. Ishte dominim konkret, sulmues, me raste shënimi dhe lojë burrërore.

Vet ky dominim demantoi ata që i quajnë djemtë tanë tradhtarë. Ata që besuan se Argjentina do ta deklasojë, apo do t’ia japë “pesë gola” Zvicrës, me Messin si shënues i hettrikut. Ndodhi krejt e kundërta, sepse ky Messi jo vetëm që nuk shënoi, por herë-herë u desh të kthehej në mbrojtje, sepse porta rrezikohej nga ylli i ardhshëm shqiptar i Liverpoolit, Xherdan Shaqiri.

Mehmedi i shkaktoi kokëçarje mbrojtjes “femërore” të Argjentinës, teksa Behrami dhe Xhaka bllokuan plotësisht me performancë të fortë burrërore defensive lojtarët e rrezikshëm si Di Maria, Messi, Palacio, Higuain e të tjerë. Lojtarët që u konsiderua se kanë teknikë të pandalshme.

Se fati ekziston, këtë tregoi shtylla e Xhemailit në sekondat e fundit shprese. Fati dhe futbolli janë ekuivalentë me njëri-tjetrin. E fati ishte në anën e Argjentinës. Por, edhe pse nuk kishin fat, unë besoj se futbollistët shqiptarë të Zvicrës janë të bekuar nga Zoti dhe se nuk kanë arsye që të ndihen të zhgënjyer. Duhet të ndihen krenarë, sepse i dhanë leksion të madh atyre që marrin miliona euro, e lavdërohen si më të mirët e planetit. Në fund fitorja është ajo që vlen, por jo më pak vlen krenaria!

T’i lëmë anash folklorizmat të cilat duhet t’ia tregoni babait "profesionel" të Adnanit, Abedin Januzajt. Djemtë s’janë tradhtarë. Ata janë krenarë me vendin, pavarësisht milionave, rrethanave që i çuan te Zvicra dhe suksesit me ekipet.

Ju jeni kampionë të vërtetë të këtij Botërori. Ju jeni kampionët tanë.

Krenarë me ju, Xherdan, Valon, Granit, Admir dhe Blerim!