WhatsApp heq një opsion të njohur - çfarë duhet të ndryshoni në cilësime për të mos humbur llogarinë

WhatsApp po ndryshon mënyrën e mbrojtjes së llogarive të përdoruesve dhe po heq PIN-in gjashtëshifror që përdorej deri tani për verifikimin me dy hapa.
Në vend të tij do të përdoret një fjalëkalim më i sigurt. Aplikacioni po sjell gjithashtu mjete të reja për identifikimin e thirrjeve të dyshimta nga numra të panjohur.
Rregullat e reja kërkojnë një fjalëkalim me të paktën tetë karaktere, i cili duhet të përmbajë kombinim shkronjash dhe numrash, ndërsa përdoruesit mund të shtojnë edhe karaktere speciale.
Ata që kanë tashmë aktivizuar mbrojtjen shtesë do të mund ta zëvendësojnë PIN-in e vjetër me kodin e ri të sigurisë përmes cilësimeve të llogarisë.
E-maili bëhet i rëndësishëm për rikthimin e llogarisë
WhatsApp po kërkon gjithashtu që llogaria të lidhet me një adresë e-maili. Kjo do të jetë veçanërisht e rëndësishme në rast se përdoruesi harron fjalëkalimin, pasi e-maili do të shërbejë për rikthimin e aksesit në llogari.
Pa një adresë të vlefshme e-maili, mundësitë për rikuperimin e profilit do të jenë shumë të kufizuara. Sipas WhatsApp, ndryshimet synojnë të forcojnë sigurinë dhe të vështirësojnë mashtrimet dhe marrjen e llogarive përmes kodeve SMS.
Ndryshime të tjera po vijnë edhe për përdoruesit e Android-it, veçanërisht për mbrojtjen nga thirrjet e padëshiruara.
Kur përdoruesi merr një telefonatë nga një numër i panjohur, aplikacioni do të shfaqë të dhëna shtesë për telefonuesin, përfshirë shtetin nga vjen telefonata dhe nëse përdoruesi ka grupe të përbashkëta me personin që po telefonon.
Përditësimet po shpërndahen gradualisht përmes versioneve të reja të aplikacionit. /Telegrafi/



































