LAJMI I FUNDIT:

Vrasja e policit në Zllatar, dëshmitari thotë se të shtënat që kishte dëgjuar kanë qenë të karakterit festiv

Vrasja e policit në Zllatar, dëshmitari thotë se të shtënat që kishte dëgjuar kanë qenë të karakterit festiv

Në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku i akuzuari Fatlum Mehmeti po akuzohet se me dashje eventuale ka privuar nga jeta anëtarin e Policisë së Kosovës, L.H., gjatë një ndejë të organizuar nga pjesëtarët e PK-së në Zllatar, në shkurt të vitit të kaluar, dëshmitari Artan Morina ka thënë se aty nuk kishte parë ndonjë rrezik dhe të shtënat që kishte dëgjuar kanë qenë të karakterit festiv.

Kjo seancë kishte filluar në orarin e paraparë (09:00), mirëpo përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Besnik Berisha ka kërkuar që kjo seancë të ndërpritet meqenëse ishte i angazhuar në të njëjtën orë në një rast tjetër në Departamentin Special.


“E di që kjo çështje është shtyer disa herë por jo për rrethana qefi e as për interes të zvarritjes por thjesht për rrethana të paevituara e të domosdoshme. Për këto arsye jam i shtyer që edhe sot po kërkoj mirëkuptimin e gjykatës që kjo seancë meqenëse edhe ashtu filloi rishtazi të ndërpritet”, tha avokati Berisha.

Ndërsa, e dëmtuara L.H-S e ka përkrahur kërkesën e avokatit duke kërkuar që të mos mbahet kjo seancë pa prezencën e tij.

Kurse, prokurori i shtetit Ilaz Beqiri ka përkrahur mendimin e palës së dëmtuar.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Mehmeti, avokati Labinot Buzuku tha se ata kanë vullnetin që pasdite të shtyhet seanca por jo edhe paradite meqenëse nuk është obligative prezenca e avokatit në këtë seancë dhe palën e dëmtuar e përfaqëson prokurori i shtetit.

Në këto rrethana, trupi gjykues ka vlerësuar se secila çështja e ka rëndësinë e vet duke aprovuar vetëm pjesërisht kërkesën e avokatit Berisha për shtyrjen e seancën, duke vendosur që të vazhdohet me seancë në sesionin e pasdites.

Po ashtu, në sesionin e paradites, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Kushtrim Shyti bëri të ditur se ky shqyrtim fillon rishtazi meqenëse avokati Buzuku kishte kërkuar përjashtimin e anëtares së trupit gjykues, gjykatëses Fatime Dërmaku.

Vrasja e policit në Zllatar, dëshmitari: Atë natë, para ngjarjes pashë katër të shtëna me armë - i dëgjova edhe dy ose tri tjera
Lexo po ashtu Vrasja e policit në Zllatar, dëshmitari: Atë natë, para ngjarjes pashë katër të shtëna me armë - i dëgjova edhe dy ose tri tjera

Ai tha se kryetarja e gjykatës Albina Shabani-Rama ka aprovuar kërkesën e mbrojtësit duke caktuar si anëtare të trupit gjykues, gjykatësen Sulltane Hoti.

Pas kësaj, i akuzuari Mehmeti është deklaruar i pafajshëm, ndërsa prokurori i shtetit dhe palët në procedurë kanë mbetur pranë fjalës hyrëse të dhënë më herët.

Po ashtu, me pajtimin e palëve është konsideruar e lexuar deklarata e dëshmitarit Artan Morina për pjesën e dhënë.

Më pas, sesioni i pasdites ka vazhduar me dëgjimin e zyrtarit policor Artan Morina në cilësi të dëshmitarit, i cili duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Berisha ka sqaruar se atë natë përveç katër të shtënave që i ka dëgjuar, nuk kishte parë revole të tjera të ekspozuara.

Morina tha se ato katër të shtëna kanë qenë prej katër personave të ndryshëm, duke shtuar se aty të gjithë kanë qenë zyrtar policor por në rroba civile, pra jashtë orarit të punës.

Sipas tij, aty nuk kishte parë ndonjë rrezik dhe se këto të shtëna kanë qenë të karakterit festiv.

I pyetur se çfarë e ka shoqëruar atë mbrëmje festive me epilog tragjik në periudhën rreth dy orëshe nga koha kur ka dëgjuar të shtënat e deri kur është shkrepur plumbi fat keq, dëshmitari Morina tha se kanë qenë aktivitetet e njëjta, si shoqëri kanë biseduar,  kanë dëgjuar muzikë, kanë vallëzuar dhe sipas vullnetit të secilit janë angazhuar në përgatitje të ushqimit.

Më pas, dëshmitari Morina ka sqaruar se brenda ka qenë temperaturë normale dhe sa kishte qenë brenda kishte pasur të zhveshur xhaketat.

Ai tha se nuk kanë pasur ndonjë rreshter apo mbikëqyrës të ndërrimit në mesin e tyre.

Ndërsa i pyetur se a e ka diskutuar dikush mos shtënien me armë në atë hapësirë, dëshmitari Morina tha se për këtë pyetje mund të përgjigjet vetëm në rastin tjetër ku ai është i akuzuar.

“Për gjithçka çka muj me inkriminu vetën në landën tjetër unë nuk përgjigjem”, tha ai.

Ndërkaq, lidhur me këtë avokati Berisha ka sqaruar se ai nuk po kërkon nga dëshmitari që të jap një përgjigje që inkriminon vetën ose të afërmit e tij por vetëm të deklarohet për këtë pjesë pa përmendur emra apo detaje të tjera që mund ta inkrimojnë këdo.

Kurse, në pyetjen se a ka pasur iniciativë kushdo prej grupit që meqenëse po marrin pije alkoolike armët të lëndë në një vend tjetër, dëshmitari Morina tha se secili ka përgjegjësi për armën e vet të cilën duhet ta ketë nën mbikëqyrje.

“Unë asnjëherë nuk e lë armën larg trupit ndërsa mu nuk më kujtohet për atë që po pyt avokati”, tha ai.

Ai tha se është zgjedhja e secilit se a e mban fishekun në tyt, ndërsa i pyetur se a ka ndonjë protokoll lidhur me këtë. Dëshmitari tha se brenda orarit të punës duhet ta mbajnë në tyt e jashtë orarit të punës për aq sa është i informuar është zgjedhja e zyrtarit a e mban apo jo.

“Nuk jom sakt i informum por sa e di është zgjedhja e zyrtarit a e mban apo jo”, ka thënë ai.

Edhe për pyetjen se a është i lejuar konsumimi i alkoolit kur e kanë armën në brezë, dëshmitari Morina tha se këto janë çështje të mbrojtjes së tij në procedurën tjetër dhe se nuk mund të përgjigjet në këtë seancë.

Më pas, dëshmitari Morina ka mohuar ta dijë kohën kur e kishte parë të akuzuarin me një birrë në dorë.

“Të akuzuarin e kom pa me një birrë në dorë, a e ka pi a sa ka pi nuk e di dhe kohën nuk e di se nuk m’ka interesu. A ka qenë menjëherë sa e kemi shtru ushqimin a ka qenë pak para rastit incidentit tragjik nuk e di se nuk kom nejt me orë në dorë me pa se kush çka po bon”, ka thënë ai.

Tutje, duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarit Mehmeti, avokatit Labinot Buzuku, ai ka sqaruar se organizimi i ndejës ishte bërë bashkërisht dhe se raportet shoqërore në ekipin e tyre kanë qenë të shkëlqyeshme.

Ai tha se kjo ndejë ishte organizuar si shoqni dhe jo me individ të veçantë.

“Të gjithë zyrtarët që kemi qenë të pranishëm në atë ndej kemi qenë pjesë e ekipit të stacionit policor Qendra në atë kohë ose kanë qenë më herët pjesë e ekipës tonë dhe na ka ra me punu bashkë shumica mes vete”, ka thënë dëshmitari Morina.

Ndërsa, pyetjen se a i kujtohet se a i kishte thënë i ndjeri që ka pasur probleme me ndokënd, e ka kundërshtuar avokati Berisha me arsyetimin se është pyetje e drejtpërdrejtë, pa themel, është përtej objektit të akuzës se nuk ka pretendime të tilla dhe se dëshmitari asnjëherë as nuk ka deklaruar e as nuk është pyetur nëse ka biseduar me të ndjerin dhe nëse po çka.

Ky kundërshtim u aprovuar nga trupi gjykues duke vlerësuar se është pyetje e drejtpërdrejt në të cilën dëshmitari nuk është deklaruar më herët.

Më pas, dëshmitari Morina tha se atë natë nuk ka pasur asnjë fjalë të keqe, asnjë sjellje të keqe, mes asnjërit prej tyre.

Ndërsa, duke u përgjigjur në pyetjet e trupit gjykues se a i kujtohet çfarë raporti ka pasur i pandehuri me të ndjerin, dëshmitari tha se “të gjithë kemi pas raporte të shkëlqyeshme pa përjashtim duke përfshirë edhe raportin mes të ndjerit dhe të pandehurit”.

Ai ka shtuar se as pas rastit tragjik e as më vonë nuk kishte dëgjuar të ketë pasur ndonjë problem mes këtyre të dyve apo në mes tjerëve.

Pas përfundimit të dëshmisë së tij, prokurori i shtetit Beqiri ka kërkuar nga gjykata që të mos vazhdohet me dëgjimin e dëshmitarit të radhës meqenëse ishte fundi i orarit të punës.

Propozimi i tillë u aprovuar nga trupi gjykues, ndërsa seancat e radhës lidhur me këtë çështje penale u caktuan më 5, 8 dhe 18 dhjetor 2023.

Dëshmitari Morian në seancën e sotme e ka vazhduar dhënien e  dëshmisë së tij të cilën e kishte filluar në seancën e 6 qershorit të këtij viti.

Ndryshe, i akuzuari  Mehmeti më 14 prill 2023 është deklaruar i pafajshëm se nga “dashja eventuale”  kishte vrarë policin L.H, në shkurt të 2022-ës, në një organizim shoqëror në Zllatar të Prishtinës.

Sipas aktakuzës të ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 20 tetor 2022, Fatlum Mehmeti akuzohet se më 18 shkurt 2022, rreth orës 13:45, në sallonin e vilës në fshatin Zllatar të Komunës së Prishtinës, me dashje eventuale ka privuar nga jeta tani të ndjerin, pjesëtarin e Policisë së Kosovës, L.H.

Në këtë aktakuzë thuhet se gjatë një ndeje që ishte organizuar nga ana e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës së Stacionit Policor Qendra në Prishtinë, ku prezent kanë qenë pjesëtarët e PK-së: Florent Ahmeti, Gëzim Tahiri, Ilir Salihu, Bleart Misiri, Elit Thaqi, Enis Imeri, Artan Morina, Astrit Zabërgja, Ron Aliu, Arian Menxhiqi, Adis Berisha, Xhafer Berisha, Valdet Rrahimi dhe Ali Ahmeti, i akuzuari Fatlum Mehmeti i vetëdijshëm që manipulimi me armë paraqet rrezik për rrethin e posaçërisht në hapësira të mbyllura, në prezencën e personave të lartcekur, ka manipuluar me armën zyrtare të tipi “Gllok” 9mm, deri sa ishte i ulur në krevat, ndërsa në anën e majtë të tij, në distancë prej rreth 70-80 cm, ishte i ulur tani i ndjeri L.H dhe përreth kolegët e tij.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i akuzuari ka nxjerrë armën nga beli me qëllim që ta vendosë atë në xhaketë, si dhe mundohet që ta heqë karikatorin dhe ta sigurojë armën, mirëpo shkakton një të shtënë nga arma dhe predha e godet tani të ndjerin L.H. në regjionin e krahut të dorës së djathtë, me ç’rast i shkakton plagë vdekjeprurëse.

Andaj, me këtë akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje me dashje eventuale” nga neni 172 lidhur me nenin 21 par.3 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi/

Në trend Lajme

Më shumë
Dita botërore e lirisë së shtypit, raporti i “Reporterëve pa Kufij” - Kosova shënon rënie për 19 vende

Dita botërore e lirisë së shtypit, raporti i “Reporterëve pa Kufij” - Kosova shënon rënie për 19 vende

Lajme
Gjilan, një person refuzon të ndalet para policisë - polici përmes xhamit ia merr çelësat dhe fikë veturën e tij

Gjilan, një person refuzon të ndalet para policisë - polici përmes xhamit ia merr çelësat dhe fikë veturën e tij

Kronika e Zezë
“Ushtria digjitale” e Kurtit në front kundër gazetarëve

“Ushtria digjitale” e Kurtit në front kundër gazetarëve

Lajme
Ferizaj, një grua raporton se vajza e saj është marrë nga një person i panjohur - dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me të

Ferizaj, një grua raporton se vajza e saj është marrë nga një person i panjohur - dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me të

Kronika e Zezë
Anëtarësimi i Kosovës në KiE-së, Kosova dhe Zvicra mbajnë takimin konsultativ

Anëtarësimi i Kosovës në KiE-së, Kosova dhe Zvicra mbajnë takimin konsultativ

Lajme
Rama: Spitali i Kryeqytetit po bëhet, shumë shpejt projekti do të tenderohet

Rama: Spitali i Kryeqytetit po bëhet, shumë shpejt projekti do të tenderohet

Lajme
Kalo në kategori