Nga therja me thikë mbrëmjen e së enjten ku mbeti i vdekur i mituri 15 vjeçar, Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë të ditur se i dyshuari në këtë rast është 17 vjeçari i cili është ndaluar për 24 orë.

Sipas njoftimit të Prokurorisë bëhet e ditur se nga i dyshuari është sekuestruar një thikë e cila dyshohet se është përdorur për ta kryer veprën penale.


"Prokuroria Themelore në Prizren - Departamenti për të Mitur informon opinionin publik se në Prizren, ka ndodhur një rast i vrasjes, më 27 gusht 2026, rreth orës 23:41 min. Pas pranimit të informatës, menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet relevante të Policisë së Kosovës, hetuesi kujdestar, ekipet e krim-teknikës dhe zyrtarët e Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML), me qëllim të zhvillimit dhe përfundimit të procedurave hetimore në vendin e ngjarjes, ku janë siguruar prova materiale që vërtetojnë kryerjen e veprës penale. Me urdhër të prokurorit, trupi i viktimës është dërguar për obduksion në IML. Bazuar në të dhënat fillestare të hetimit, i mituri 17 vjeçar, dyshohet se ka privuar nga jeta të miturin 14 vjeçar, duke therur me thikë, i cili është hasur në vendin e ngjarjes dhe nga i njëjti është sekuestruar një thikë e cila dyshohet se është përdorur për ta kryer veprën penale", thuhet në njoftim.

Tutje bëhet e ditur se me vendim të prokurorit të shtetit, i mituri 17 vjeçar, është ndaluar për 24 orë, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale "Vrasja e rëndë" dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

"Brenda afatit ligjor, Prokuroria do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës për sigurimin e të miturit në procedurë. Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, është duke vazhduar hetimet intensive për zbardhjen e motiveve dhe rrethanave të plota të kësaj ngjarjeje", thuhet në njoftim. /Telegrafi/