Kurti viziton IML-në: Mund të ketë edhe varreza të tjera masive në veri të Kosovës

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministren dhe ministren në detyrë të Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, ka vizituar Institutin për Mjekësi Ligjore (IML), pas përfundimit të gërmimeve në tri lokacione në komunën e Zubin Potokut.
Sipas institucioneve, në tri lokacionet në fshatrat Kalludër dhe Jabukë janë gjetur mbetje mortore që dyshohet se u përkasin së paku 23 personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit.
Gërmimet kishin nisur saktësisht një muaj më parë. Sipas Kurtit, në njërin lokacion në Kalludër janë gjetur mbetje të 13 personave, në lokacionin e dytë gjashtë, ndërsa në Jabukë katër.
Kurti bëri të ditur se nga mbetjet mortore të gjetura në Jabukë është marrë edhe mostër e ADN-së, me qëllim të identifikimit të personave.
“Procesi ka hyrë në një fazë të re dhe ky është rezultat i institucioneve tona në përgjithësi, prej Policisë, AKI-së, Ministrisë së Drejtësisë, IML-së në veçanti, por edhe ekspertëve mjekoligjorë”, tha Kurti.
Ai theksoi se në Kosovë vazhdojnë të jenë mbi 1,500 persona të pagjetur dhe se mund të ketë edhe varreza të tjera masive në veri të vendit, zona të cilat më herët kanë qenë të paqasshme për institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë.
Kurti tha gjithashtu se rreth lokacioneve ku janë kryer gërmimet është gjetur edhe sasi e konsiderueshme e armatimit dhe municionit.
Sipas tij, zbardhja e fatit të personave të zhdukur ka rëndësi jo vetëm për familjet, por edhe për drejtësinë dhe sigurinë në vend.
“Është zbuluar edhe sasi e madhe e armatimit dhe municionit rrotull atyre vendeve ku janë bërë gërmimet, ku janë gjetur varrezat masive”, deklaroi ai.
Kurti tha se që nga përfundimi i luftës janë kryer rreth 2,700 gërmime, ndërsa vetëm gjatë këtij viti, në 17 gërmime janë gjetur gjithsej 30 mbetje mortore.
Gjatë vizitës në IML, kryeministri në detyrë foli edhe për investimet në këtë institucion. Sipas tij, mbi 814 mijë euro janë investuar në modernizimin e infrastrukturës, rritjen e sigurisë dhe funksionalitetit të objektit, si dhe krijimin e kushteve më të mira për shërbimet mjekoligjore.
Në kuadër të investimeve janë rehabilituar dhe modernizuar salla e autopsisë dhe laboratorët e toksikologjisë, histopatologjisë dhe antropologjisë. Gjithashtu është krijuar një arkiv modern dhe hapësira për ruajtjen e dëshmive, si dhe janë përmirësuar hapësirat për ekzaminime klinike mjekoligjore.
Kurti tha se Qeveria synon rritjen e performancës së IML-së dhe përmirësimin e reputacionit të institucionit.
“Bashkë me zëvendëskryeministren dhe me ministren e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ne jemi të interesuar që ta rrisim performancën e IML-së, edhe IML-ja çdo vit të ngritët për nga cilësia dhe rezultatet e punës dhe të marrim edhe vlerësimet më të larta ndërkombëtare”, tha ai.
Kurti përmendi edhe kritikat e mëhershme ndaj IML-së, përfshirë raportimet për zhdukje të mostrave, zjarrin dhe pretendimet për kushte të papërshtatshme në institucion.
“Pra, nuk jemi dy palë, jemi në të njëjtën anë. Por siç thuhet ‘na ndihmoni, t’ju ndihmojmë’, në mënyrë që edhe performanca, por në anën tjetër edhe reputacioni i IML-së të ngritet”, deklaroi Kurti.
Ai vlerësoi se puna e IML-së ka rëndësi të drejtpërdrejtë për sistemin e drejtësisë, pasi ekspertizat mjekoligjore përdoren në proceset penale dhe mund të ndikojnë në vendimet gjyqësore.
“Për neve është shumë e rëndësishme që nëpërmjet lartësimit të IML-së ne ta shtojmë edhe besimin në sistemin e drejtësisë”, tha Kurti./Telegrafi/





































