Gjykata Themelore në Pejë më 24 gusht i ka shpallur të pafajshëm Halil, Kreshnik dhe Kastriot Mehmetajn, të akuzuar për vrasjen e trefishtë në Gllogjan.

Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj u liruan nga akuza për veprën penale “Vrasje e rëndë” në bashkëkryerje, kurse Halil Mehmetaj u lirua nga akuza për veprën penale “Shtytje në vrasje të rëndë”. Kastriot Mehmetaj u lirua nga akuza edhe për armëmbajtje pa leje.


Rasti lidhet me ngjarjen e 26 nëntorit 2021, kur një autobus ishte qëlluar me armë zjarri, ku mbetën të vrarë shoferi Gani Gjokaj dhe dy nxënës 17-vjeçarë, L.H. dhe G.M. Një person tjetër ishte plagosur rëndë.

Prokuroria i kishte akuzuar Mehmetajt për përfshirje në sulm, ndërsa pretendonte se objektiv ishte shoferi Gjokaj.

Prokuroria pretendonte se familja Mehmetaj e konsideronte Gjokajn përgjegjës për vetëvrasjen e vajzës së tyre, Heroina Mehmetaj, dhe se kjo kishte shërbyer si motiv për sulmin.

Procesi ishte rihapur në korrik pas administrimit të një videoincizimi të ri.

Pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, gjykata vendosi që të tre të akuzuarit të shpallen të pafajshëm.



E lidhur me aktgjykimin lirues ndaj personave që ishin të akuzuar në këtë rast, sot Kryeprokurori i Shtetit ka lëshuar një njoftim për media.

Në njoftim thuhet se Kryeprokurori i Shtetit ka kërkuar nga Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë raport me shkrim lidhur me kronologjinë e veprimeve të ndërmarra nga ana e Prokurorisë Themelore në Pejë për rastin e vrasjes së trefishtë në fshatin Gllogjan.

“Në bazë të kompetencave të tij ligjore, Kryeprokurori i Shtetit ka kërkuar nga Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë raport me shkrim lidhur me kronologjinë e veprimeve të ndërmarra nga ana e Prokurorisë Themelore në Pejë për rastin e vrasjes së trefishtë në fshatin Gllogjan, pasi që Gjykata Themelore në Pejë, më datë 24 gusht 2026, ka marrë aktgjykim lirues ndaj personave të akuzuar për këtë rast”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/