Tre shtetas të Maqedonisë së Veriut kanë humbur jetën, ndërsa dy të tjerë janë lënduar në një aksident të rëndë trafiku që ka ndodhur dje në autostradën bregdetare, pranë Unecit, në Slloveni.

Sipas të dhënave fillestare, aksidenti ka ndodhur pasi një kamion, për shkak të një defekti, ishte ndalur në hapësirën e paraparë për ndalim. Për arsye ende të panjohura, drejtuesi i automjetit është përplasur me pjesën e pasme të majtë të rimorkios.


Në momentin e aksidentit, në automjet ndodheshin pesë persona, të gjithë shtetas të Maqedonisë.

Mjeku ka konfirmuar vdekjen e tre personave në vendngjarje.

Një person i plagosur rëndë është transportuar me helikopter në spital, ndërsa shoferi i automjetit është dërguar në spital me autoambulancë.

Autoritetet sllovene nuk kanë publikuar ende informacione mbi identitetin, moshën dhe gjendjen shëndetësore të të mbijetuarve.
Në vendin e ngjarjes kanë intervenuar patrullime të shumta policie, zjarrfikës dhe ekipe mjekësore./Telegrafi/