LAJMI I FUNDIT:

Vrasja dhe plagosja në Prizren, dorasi dyshohet të jetë pronari i lokalit ku ndodhi ngjarja

Vrasja dhe plagosja në Prizren, dorasi dyshohet të jetë pronari i lokalit ku ndodhi ngjarja
Foto: Ilustrim

Në orët e para të mëngjesit të sotëm në një lokal nate në Prizren ka pasur të shtëna me armë zjarri, si pasojë e të cilave ka ndërruar jetë një person ndërsa një tjetër është plagosur. Të dy viktimat janë nga Kukësi, ndërsa dorasi dyshohet të jetë pronari i lokalit D.H, i cili aktualisht është duke u intervistuar në stacionin policor në Prizren.

Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, zëdhënësi i policisë rajonale të Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i cili ka thënë se duke u intervistuar përveç pronarit të lokalit janë edhe pjesëtarët e stafit si dhe dëshmitarët okularë.


Telegrafi mëson se bëhet fjalë për lokalin “Kobra City”, i cili ndodhet në dalje të Prizrenit.

“Po intervistohet stafi i lokalit ku ka ndodhur rasti dhe dëshmitarët okularë. Po ashtu, po intervistohet edhe pronari i lokalit si i dyshuar”, ka thënë Bytyqi.

Lajmi për rastin fillimisht është bërë i ditur nga Policia e Shtetit në Shqipëri. Në njoftimin për media u bë e ditur se viktima që përfundoi me fatalitet është 31-vjeçari me iniacialet V. C., ndërsa i plagosuri është R. Sh., 27 vjeç, të dy nga Kukësi.

“Në Morinë, rreth orës 04:25, të mëngjesit, kanë hyrë për në drejtim të spitalit rajonal të Kukësit, shtetasit  V. C., 31 vjec, dhe R. Sh.,  27 vjeç,  që transportoheshin me automjet nga shtetasi A . B.,  të tre nga Kukësi, ku shtetasit V. C dhe R. SH , ishin të plagosur me armë zjarri në Prizren të Kosovës”.

“Si pasojë e plagëve të marra shtetasi V. C., ka ndërruar jetë gjatë rrugës, ndërsa shtetasi R. Sh., ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve”, thuhej në njoftim. /Telegrafi/