Tetë persona të kërkuar me urdhëresa të organeve të drejtësisë janë arrestuar nga Policia e Kosovës në rajonin e Gjakovës gjatë periudhës 14 dhe 22 korrik të këtij viti.

Sipas një njoftimi të Policisë së Kosovës, arrestimet janë realizuar në kuadër të angazhimeve për lokalizimin dhe ndalimin e personave në kërkim, me qëllim ekzekutimin e vendimeve të gjykatave kompetente.


Policia ka bërë të ditur se katër prej të arrestuarve janë dërguar për vuajtjen e dënimit me burg.

Bëhet fjalë për: F.Sh., i dënuar me dy vjet burgim për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, S.Gj., i dënuar me tre muaj burgim për veprën penale “Dhunë në familje”, K.I., i dënuar me 15 ditë burgim për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, L.A., i dënuar me 43 ditë burgim për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.

Ndërsa, katër persona të tjerë të cilët ishin në kërkim, janë liruar pasi kanë kryer pagesën e gjobave të shqiptuara nga gjykatat kompetente.

Policia e Kosovës ka theksuar se Drejtoria Rajonale në Gjakovë do të vazhdojë zbatimin e urdhër-arresteve dhe lokalizimin e personave në kërkim.

“Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë vazhdon të mbetet e angazhuar në ekzekutimin e urdhër-arresteve dhe letër-rreshtimeve, duke forcuar besimin e qytetarëve te institucionet e rendit dhe të drejtësisë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës. /Telegrafi/