LAJMI I FUNDIT:

Votimi i Projektligjit për Rimëkëmbje, Tahiri: Do ta bëjmë me dije më herët, ky koalicion nuk po arrin të kalojë asnjë iniciativë

Votimi i Projektligjit për Rimëkëmbje, Tahiri: Do ta bëjmë me dije më herët, ky koalicion nuk po arrin të kalojë asnjë iniciativë

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka thënë se për votimin e Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike do të bëhet me dije më herët.

Tahiri në një konferencë për medie, tha se koalicioni aktual qeveritar nuk po arrin të kaloj asnjë iniciativë.


“Ne për secilin ligji apo secilën nismë që është në këtë Kuvend se do ta votojmë ose jo do ta bëjmë më dije më herët. Ju i dini edhe më herët qëndrimet e Partisë Demokratike të Kosovës edhe për sa i përket Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike, apo iniciativave të tjera ligjore. Ky koalicion nuk po arrin të kalojë asnjë iniciativë të vetme dhe besoj se këtyre iu duhet në respektim i thellë mbi angazhimin e tyre”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Të premten e kaluar kishte dështuar të mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit, ku ishte paraparë të hidhet në votim ky Projektligj.

Seanca kishte dështuar në mungesë të kuorumit.

“Nuk ka kuorum për mbajtjen e kësaj seance. Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi duke marrë parasysh zhvillimet politike në vend, ka kërkuar që kjo seancë të shtyhet për datën 11 nëntor 2020”, kishte thënë nënkryetari i Kuvendit, Kujtim Shala.

Ndryshe, më 12 tetor, pas gjashtë dështimeve, Kuvendi i Kosovës me 64 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, kishte votuar në lexim të parë këtë Projektligj.

Nëse Projektligji siguron votat e nevojshme edhe në lexim të dytë, kryetarja e Kuvendit e nënshkruan dhe e dërgon tek Presidenti për shpallje. Ndërkaq, Presidenti ka afat tetë ditë për ta shpallur ose për ta kthyer atë për rishqyrtim në Kuvend.

Në dispozitat e këtij Projektligji është plotësimi dhe ndryshimi e disa ligjeve, me qëllim të rimëkëmbjes së ekonomisë së Kosovës pas efekteve negative të shkaktuara nga pandemia COVID-19. Ky do të mbetet në fuqi deri më 31.12.2021. Pas kësaj date, të gjitha dispozitat e këtij Ligji do të shfuqizohen në mënyrë automatike.

Me anë të këtij Projektligji parashihet zbatimin e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike në vlerë prej 365 milionë euro. /Telegrafi/