LAJMI I FUNDIT:

Vonesat në zhvillim të fëmijët- intervenimi i hershëm

Vonesat në zhvillim të fëmijët- intervenimi i hershëm

Me vonesë në zhvillim te fëmijët nënkuptojmë zhvillimin e ngadalësuar apo mbetjen mbrapa në aftësitë motorike apo shqisore te fëmijës në krahasim me moshatarët

MSc.Pt. Zana Gërgi
Specialiste e fizioterapise pediatrike-fizioterapeute neurozhvillimore Bobath


Zhvillimi i fëmijës fillon që në barkun e nënës duke vazhduar pas lindjes dhe zgjat deri në moshën e pjekurisë.

Te disa foshnje, pas lindjes mund të paraqiten pamjaftueshmëri apo edhe çrregullime në lëvizje, aftësi motorike, shqisore, kognitive dhe funksionale, të cilat vërehen së pari nga nëna e më pastaj edhe nga pediatri, me ç’rast paraqitet edhe dyshimi se mund të bëhet fjalë për një vonesë në zhvillim.

Shkaqet e paraqitjes së vonesave në zhvillim te fëmijët

• Faktorët gjenetik (sindroma Down, Distrofia muskulare)
• Problemet gjatë lindjes (bebet premature, komplikimet gjatë procesit të lindjes, pesha e ulët e bebes apo mbetja e bebes pa oksigjen )
• Problemet metabolike (dehidratimi)
• Faktorët e mjedisit: ushqimi i dobët, përdorimi i alkoolit apo cigares gjatë periudhës së shtatzënisë nga nëna, traumat apo gjenetika familjare

Shenjat e para në rastet e vonesave në zhvillim te fëmijët

Nëse një foshnje nuk mund të mbajë kokën, të qëndrojë përmbys (pozita mbi bark) apo nuk mund të zgjatet në objekte të ndryshme (lodrat) pas muajit të katërt; nuk mund të ulet pas muajit të gjashtë apo të kthehet në të dy anët pas muajit të tetë dhe nuk mund të qëndrojë në këmbë pas muajit të dhjetë apo edhe nuk mund të ecë pas muajit të tetëmbëdhjetë, mund të bëhet fjalë për një vonesë në zhvillim me ç‘rast lind nevoja e kontrollimit të foshnjës, së pari nga pediatri e më pas edhe nga neurologu pediatrik.

Diagnostifikimi dhe intervenimi i hershëm i vonesave në zhvillim te fëmijët

Pas diagnostifikimit nëse konstatohet se bëhet fjalë për një vonesë në zhvillim të fëmijës, mund të lind nevoja për një intervenim të hershëm terapeutik me qasje multidiciplinare, e cila do të ndihmojë atë për t’i arritur aftësitë e vonuara në krahasim me shkallët e zhvillimit normal.

Në të gjitha vendet evropiane dhe në SHBA, objektivat kryesore të intervenimit të hershëm përfshijnë diagnostifikimin dhe rehabilitimin kryesisht të moshës 0-6 vjeç duke përfshirë foshnjërinë, fëmijërinë e hershme dhe periudhën parashkollore.

Pasi që të diagnostifikohet dhe konstatohet saktë nga ana e pediatrit dhe neurologut pediatrik për një vonesë në zhvillim, te fëmija duhet të bëhet edhe vlerësimi fizioterapeutik nga ana e fizioterapeutit pediatrik.

Kjo, fillon me marrjen e anamnezës (procesi i lindjes, komplikimet gjatë procesit te lindjes, periudha pas lindjes, qëndrimi në inkubator), më pas bëhet vlerësimi i lëvizjeve të fëmijës, vlerësimi i muskujve dhe gjymtyrëve, vlerësimi postural, zhvillimi motorik te fëmija ashtu që konstatohet shkalla e dëmtimit, bëhet analizimi i aftësive ekzistuese dhe aftësive që duhet të ketë sipas zhvillimit normal e që mungojnë në këtë rast dhe në fund planifikohet programi terapeutik.

Roli dhe rëndësia e fizioterapisë në trajtimin e vonesave në zhvillim te fëmijët

Fizioterapia si pjesë përbërëse e qasjes multidiciplinare në kuadër të intervenimit të hershëm te fëmijët me vonesë në zhvillim ka një rol të madh në përmirësimin e lëvizjeve dhe aftësive motorike-shqisore dhe është e domosdoshme të merret menjëherë pas daljes në pah të problemeve evidente.

Vlen të theksohet se për zhvillimin neuromotorik mosha 0-3 vjet është shumë e rëndësishme, sepse gjatë kësaj periudhe truri ka një potencial më të madh të mësimit motorik dhe rigjenerimit, përgjigjja në terapi është më e shpejtë prandaj edhe preferohet intervenimi dhe trajtimi sa më i hershëm.

Qëllimi i fizioterapisë neurozhvillimore është që përmes ushtrimeve adekuate sipas mungesave në shkallët e zhvillimit te fëmija të mund të arrihet zhvillimi motorik normal.

Programi fizioterapeutik përfshin:

• Edukimin e lëvizjeve për ulje, zvarritje, qëndrim në këmbe dhe ecje
• Sigurimin e koordinimit të syve dhe duarve
• Ushtrimet për koordinim dhe balancë
• Ushtrimet për forcim të muskujve (rastet e hipotonisë)
• Sugjerimin e përdorimit të mjeteve ndihmëse terapeutike gjatë kësaj periudhe, dhe
• Edukimin e familjes për bashkëpunim përmes ushtrimeve në kuadër të programit shtëpiak.

Rëndësia e pjesëmarrjes së prindërve në programin terapeutik

Prindërve ju takon një përgjegjësi e madhe në rastet e vonesave në zhvillim te fëmijët duke i përcjellë nga afër shkallët e zhvillimit motorik te fëmija gjithnjë duke i krahasuar me moshatarët.

Sa më herët që të identifikohet një vonesë në zhvillim përmes intervenimit të hershëm me një program të ngjeshur terapeutik, duke e mbështetur atë me ushtrime adekuate në fushat ku aftësitë e fëmijës janë të pamjaftueshme, do të mundësohet arritja e aftësive dhe zhvillimit normal me moshatarët ku rol të madh luan edhe mbështetja, pjesëmarrja në program dhe bashkëpunimi i prindërve.

Në të kundërtën nëse nuk intervenohet në kohën e duhur, atëherë fëmija do të mbetet mbrapa në zhvillim në krahasim me moshatarët e vet dhe nuk do të mund të fitojë aftësitë të cilat duhet të ketë sipas zhvillimit normal ndonjëherë edhe me pasoja të pariparueshme. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Ushqim i shëndetshëm
Kalo në kategori