LAJMI I FUNDIT:

Volkswagen po punon për një veturë të vogël elektrike

Volkswagen po punon për një veturë të vogël elektrike

Volkswagen po përgatitet të prodhojë një veturë elektrike të nivelit fillestar, e cila do të pozicionohet poshtë modelit elektrik ID.2 të madhësisë Polo, tregoi kreu i zhvillimit teknik të gjigantit gjerman Kai Grunitz.

Ky i fundit deklaroi se Volkswagen “po punon me të vërtetë në modelin ID.1 ose ID të vogël ose sido që të quhej”, dhe shtoi se “është shumë e rëndësishme të kesh një automjet të vogël të përballueshëm”.


Deri më tani, automjetet elektrike kanë rezultuar të jenë dukshëm më të shtrenjta se ekuivalentët e tyre të fuqizuar nga motorët me djegie të brendshme dhe duke qenë se bateritë përbëjnë pjesën më të madhe të asaj diferencë çmimi, nevojitet një ulje e çmimit të vetë baterisë për të mbajtur çmimet më të ulëta. Grunitz është i bindur se Volkswagen është afër arritjes së këtij qëllimi.

“Me qelizën tonë të unifikuar që vjen në vitin 2026, ne do të ulim vërtet koston e vetë baterisë”, tha ai.

Megjithatë, lind pyetja nëse grupi Volkswagen mund të përsërisë suksesin e modeleve Up/Mii/Citigo dhe të zhvillojë vetë automjetin, apo nëse do të kërkojë ndihmë “jashtë”.

“Duke e parë atë nga një perspektivë teknologjike, unë mendoj se ne mund ta bëjmë atë. Në fund të fundit, është një çështje e shkallëzueshmërisë, por është e vështirë për të marrë një automjet tërësisht elektrik të përballueshëm”, tha Grunitz.

“Kërkojmë partnerë për bashkëpunim jashtë VW Group. Do të shohim se çfarë do të ndodhë. Automjeti duhet të jetë fitimprurës, por për VW ky model është shumë më i rëndësishëm se vetë fitimi sepse përfaqëson hyrjen në markën tonë. Automobili i parë duhet të jetë i qasshëm për klientin, sepse nëse ai ulet në ID.1, ndoshta pak më vonë automjeti i ardhshëm do të jetë ID.2, ID.3 ose ID.4. Kjo është arsyeja pse është vërtet e rëndësishme të kesh një automjet të vogël të përballueshëm”, deklaroi ai.

Megjithatë, ky model nuk do të përdorë platformën e shkallëzueshme SSP, e cila ka të ngjarë të arrijë në vitin 2028 si bazë për të gjitha modelet, nga Polo tek Bentley Bentayga.

Nëse do të jetë një përshtatje e platformës ekzistuese MEB, mbetet për t’u parë, por është konfirmuar se Volkswagen po shqyrton mundësi të ndryshme. /Telegrafi/