Afro dhjetëmijë breshka të një lloji të rrallë, janë gjetur duke jetuar në një shtëpi dykatëshe në jugperëndim të Madagaskarit.

Soary Radrianjafizanaka, nga një organizatë që merret me mbrojtjen e  të drejtave të kafshëve, ka thënë se pranë ndërtesës ku janë gjendur breshkat vinte erë e rëndë dhe shumë e pazakontë, transmeton Telegrafi.

Pas ankesave të shumta, policia është detyruar të hynte brenda me thyerje, për tu befasuar me gjetjen e kafshëve që jetonin në kushte mizore.

Breshkat e madhësive të ndryshme, kishin zënë të gjitha hapësirat e dyshemesë – me shumë pak mundësi për të manovruar.

“Era e urinës ishte e tmerrshme, e pabesueshme. Kishte breshka gjithkund, prej banjës deri në kuzhinë”, ka thënë Radrianjafizanaka.

Për vjedhjen dhe mbajtjen në kushte të papërshtatshme, janë arrestuar tre persona. Besohet se ato i kishin vjedhur dhe kishin për qëllim tregun e Azisë, ku blihen për mish si dhe nga koleksionues të reptilëve.

Breshkat e ngarkuara në gjashtë kamionë u dërguan në një rezervat, ku do të mbahen për një kohë që të ambientohet, ndërsa më vonë do të lëshohen të lira. /Telegrafi/