BDI ka aktivizuar edhe një herë fabrikën e saj të gënjeshtrave. Kur nuk ka fakte, shpik shifra. Kur nuk ka argumente, krijon panik. Kur kapet në manipulim, tenton ta mbulojë me zhurmë. Është gënjeshtër e pastër përpjekja e BDI-së për të përzier konkursin për punësim në polici me konkursin për nxënës në shkollën e mesme për policë. Janë dy procedura krejtësisht të ndryshme dhe manipulimi i tyre është dëshmi e dëshpërimit politik të një partie që po përpiqet të krijojë perceptim të rremë te opinioni publik, thonë nga partia në pushtet, VLEN.

Sipas VLEN-it, ionia më e madhe është se "sot BDI hiqet si mbrojtëse e shqiptarëve. por ku ishin zëvendësministrat e BDI-së kur qëndronin krah ministrave që i quanin shqiptarët “terroristë”? Ku ishin kur një ministër deklaronte se nuk i jepte të drejtë një shqiptari të fliste vetëm pse e kishte dënuar?"


"Atëherë heshtën. Sot bëjnë moral. Shqiptarët nuk kanë nevojë për moral nga ata që heshtën kur duhej të flisnin dhe sot bërtasin vetëm për të mbuluar dështimet e tyre. BDI nuk ka as kredibilitet moral e as politik të flasë për përfaqësimin e shqiptarëve. Pas 22 vitesh pushtet, nuk mund të fshihet pas propagandës dhe shpifjeve. VLEN nuk do t’i lejojë gënjeshtrat e BDI-së të zëvendësojnë faktet. Koha kur shqiptarët mashtroheshin me skenarë të fabrikuar ka përfunduar", thonë nga VLEN.