139 raste të reja janë regjistruar vetëm gjatë 48 orëve të fundit në Repartin e Pediatrisë pranë Spitalit Klinik të Tetovës. Fluksi i fëmijëve është rritur ndjeshëm, ndërsa simptomat më të shpeshta janë temperatura e lartë, të vjellat dhe diarreja.

“Në Spitalin Klinik të Tetovës, gjegjësisht në Repartin e Pediatrisë, kemi pasur 139 raste në 48 orët e fundit. Prej tyre, 12 fëmijë janë hospitalizuar, ndërsa të tjerët janë lëshuar për trajtim në shtëpi”, bëjnë të ditur nga Reparti i Pediatrisë në Tetovë.


Specialisti i pediatrisë, dr. Isa Osmani, sqaron se në shumicën e rasteve bëhet fjalë për viroza sezonale, të cilat gjatë verës mund të përhapen më lehtë për shkak të temperaturave të larta, mënyrës së ushqyerjes dhe kontaktit mes fëmijëve.

“Për këtë moshë fëmijësh, shumica e rasteve janë viroza me karakter sezonal. Për shkak të temperaturave të larta, mënyrës së ushqyerjes, përdorimit të qumështit artificial, i cili kërkon një higjienë jashtëzakonisht të madhe gjatë përgatitjes, si dhe kontaktit mes fëmijëve të sëmurë dhe atyre të shëndetshëm, të gjitha këto ndikojnë. Këto viroza janë ngjitëse dhe shfaqin simptoma të caktuara. Megjithatë, jo për çdo rast duhet të shkohet menjëherë në spital pas një diarreje apo të vjelle. Prindërit duhet të kenë elektrolite dhe të përdorin mënyra të ndryshme të ushqyerjes, në mënyrë që të parandalohet dehidratimi. Mirëpo, prindërit tanë shpesh frikësohen se fëmija mund të dehidratohet”, deklaroi pediatri Isa Osmani.

Për këtë situatë kanë reaguar edhe nga ASH-ja, duke i pyetur institucionet se pse heshtin për rastet në Tetovë.

“Pse tani heshtin? Shëndeti publik nuk mund të trajtohet sipas komunës, kryetarit apo interesit politik të ditës. Kur shifrat përdoren për sulm politik në Gostivar, ndërsa për shifra serioze në Tetovë zgjidhet heshtja, qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë përgjigje”, thuhet në komunikatën e ASH-së.

Ndërkaq, mjekët u bëjnë apel prindërve që të kenë kujdes të shtuar me higjienën e ushqimit, të sigurojnë hidratim të mjaftueshëm për fëmijët dhe të shmangin kontaktin me persona të prekur, me qëllim parandalimin e përhapjes së mëtejshme të virozave.