LAJMI I FUNDIT:

Vjena do të prodhojë karburant “të gjelbër” nga mbeturinat

Vjena do të prodhojë karburant “të gjelbër” nga mbeturinat

Fabrika e parë kërkimore në botë u hap së fundmi në Simmeringer Haide në kryeqytetin austriak, ku ekspertë nga fusha të ndryshme po punojnë për zgjidhjet e ardhshme të energjisë dhe prodhimin e karburantit të gjelbër.

Me një kapacitet prej një megavat, impianti eksperimental funksionon pothuajse në shkallë industriale.


Duke përdorur një teknologji unike në botë, gazi sintetik formohet nga mbetjet e drurit, llumrat e mbeturinave dhe mbetjet nga prodhimi i letrës që pastrohen dhe shndërrohen në naftë bruto. Gazi përdoret, ndër të tjera, për prodhimin e karburantit dizel të rinovueshëm si një alternativë ndaj naftës së zakonshme të prodhuar nga lëndët djegëse fosile.

Qëllimi afatmesëm i projektit është prodhimi i karburantit të gjelbër – naftë neutrale CO2 – nga nafta bruto e përftuar.

Kjo fabrikë në të ardhmen mund të prodhojë deri në 10 milionë litra karburant të gjelbër në vit, duke mbrojtur kështu mjedisin nga 30 mijë ton dioksid karboni fosil. Kjo sasi karburanti do të mjaftonte për të furnizuar të gjithë flotën e autobusëve të qytetit të Vjenës.

Në kuadër të projektit ‘Waste2Value’ do të punohet edhe për prodhimin e gazit të rinovueshëm ose hidrogjenit. /Telegrafi/