LAJMI I FUNDIT:

Vizita e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, takimi me kryeministrin Kurti dhe liderët partiakë – gjithçka nga vizita e tij në Kosovë

Vizita e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, takimi me kryeministrin Kurti dhe liderët partiakë – gjithçka nga vizita e tij në Kosovë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka qëndruar të hënën për një vizitë në Kosovë, ku ka takuar kryeministrin e vendit, Albin Kurti dhe kryetarët e partive politike.

Pas vizitës me Kurtin, kreu i Qeverisë së Shqipërisë, ka folur për çështjen e reciprocitetit me targa ndaj Serbisë, dialogun Kosovë-Serbi, pastaj për “Open Ballkan”, etj.

Rama në një konferencë për media ka thënë se nuk ka biseduar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq pas situatës së krijuar në veri të Kosovës për shkak të reciprocitetit me targa sepse nuk ka pasur çfarë të ndërmjetësoj pasi që sipas tij Kosova në këtë pikë ka të drejtë, raporton Telegrafi.

Rama për reciprocitetin e targave: Kosova ka të drejtë edhe pikë, Serbia të ndalojë manovrat teatrale me ushtri

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama pas takimit me kryeministrin Albin Kurti në një konferencë të përbashkët ka thënë se Serbia duhet ta njoh realitetin e pa kthyeshëm e që është se Kosova është e pavarur.

“Është për të ardhur keq se në vend të përparimit të dialogut dhe njohjes reciproke, sot jemi dëshmitarë të manovrave teatrale të ushtrisë së Serbisë në kufirin me shtetin sovran të Kosovës.

Ato manovra nuk mbrojnë qytetarët serb në veriun e Kosovës”, ka thënë Rama.

Ai ka shtuar se qytetarët serb në Kosovë jetojnë të pa kërcënuar nga askush, madje ju paguhen edhe faturat e energjisë elektrike, shkruan Telegrafi.

Rama shtoi se reciprociteti për targa është normë elementare e të drejtës legjitime të shtetit të Kosovës, por edhe marrëveshje e arritur me kohë në mes dy qeverive.

“Qëndrimi i Republikës së Shqipërisë është se e drejta këtu është me Kosovën dhe pikë. Serbia nuk ka asnjë të drejtë që ti kthej targat e automjeteve, në një pritshmëri konfliktuale ku mizën po e bënë buall thua se Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar ndonjë luftë”, tha Rama.

Kryeministri shqiptar theksoi se dita kur Serbia do ta njoh Kosovën është e pashmangshme, dhe kjo do vulos fundin e rrugës së vështirë dhe paqes.

Rama po ashtu ka folur për “Open Ballkan”.

“Tani jam edhe më i bindur sesa që isha se Ballkani i Hapur është rruga jonë e përbashkët për të mirën tonë të përbashkët. Natyrisht se kemi mosdakordësi në këtë pikë me Albinin, por është e rëndësishme se kjo është mosdakordësi në politikë. Marrëdhëniet tona nuk ndikohen nga kjo. Themeli i dakordsisë tonë është i një natyre tjetër jo politike por kombëtare dhe vëllazërore”, tha Rama.

Ai shtoi se dashurinë për Shqipërinë nuk e ka ndarë nga dashuria për Kosovën.

Tutje Rama është pyetur nëse ka diskutuar me presidentin Aleksandar Vuçiq pas situatës së krijuar në veri të Kosovës.

Rama theksoi se nuk ka biseduar dhe se nuk ka pasur çfarë të ndërmjetësoj pasi që sipas tij Kosova në këtë pikë ka të drejtë.

“Nuk kam pasur një bisedë me Vuçiqin apo siç shpesh herë miqtë e mi kosovarë thonë me vëllain tim Vuçiqin sepse nuk ka asnjë për të ndërmjetësuar këtu sepse këtu kemi të bëjmë me të drejtën dhe e drejta është me Kosovën. Ne jemi në krah me Kosovën siç është edhe i gjithë komuniteti ndërkombëtarë”, tha Rama.

Kryeministri i Shqipërisë më tej ka sqaruar epitetin e “vëllait të madh dhe të vogël” për “Open Ballkan”.

Ai u pyet si vëlla i madh pas situatës në veri a e kupton pse Kosova në këtë rast vëllai i vogël, kryeministri Albin Kurti nuk dëshiron të bëhet pjesë e kësaj nisme.

Përgjigja e Ramës ishte se “Ka qëlluar një temë vëllai i madh në shtëpi, si vëllai i madh kam mësuar rrugës se me vëllain e vogël ka gjithmonë një problem. Kur vëllai i vogël ka ndonjë hall thotë ti i madhi duhet të më mbështetës, ndërkaq kur i thua vëllait të vogël shiko por më dëgjo edhe mua nuk më dëgjon”, shkruan Telegrafi.

Rama shtoi se ai nuk pretendon të jetë vëllai i madh këtu.

“Unë nuk pretendoj se unë jam vëllai i madh këtu e aq më pak vëllai i madh i Albinit që është më i ri, por nuk do ta pranonte kurrë që ta quante veten vëllai im i vogël. Unë jam edhe më i bindur sot se Ballkani i Hapur është i vetmi drejtim strategjik që ne mos të ngecim në baltën e të shkuarës”, ka thënë Rama.

Kryeministri i Shqipërisë më tej ka shtuar se “Open Ballkan” nuk është asgjë përveçse marrja në drejtim e procesit të Berlinit dhe përshpejtimit të tij.

“Unë e kuptoj shumë mirë se Kosova e ka të nxehtë plagën dhe historia është e afërt, por forca njëkohësisht duhet të jetë më e madhe për të parë tutje, sepse Kosova e ka fituar luftën. Ata avionë që sillen atje nuk kanë çfarë i bëjnë Kosovës”, tha Rama.

Rama në fund shtoi se me vëllain ke lidhje gjaku kurse fqinj nuk e zgjedh por e ke aty.

“Vëllain dhe fqinjin nuk i zgjedh, me vëllain të lidh gjaku të lidh familja të lidh e shkuara dhe e ardhmja me fqinjin të lidh fakti se atë e ke aty”, ka thënë Rama.

Kurti: Kosova e Shqipëria kanë potencial për t’i realizuar projektet e përbashkëta, mbledhja e dy qeverive mbahet në muajin nëntor

Pas takimit me Ramën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur se mbledhja e përbashkët me Qeverinë e Shqipërisë do të mbahet në muajin nëntor.

Në konferencën e përbashkët për medie, pas takimit me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, Kurti u zotua për ngritje të bashkëpunimit me Shqipërinë.

“Dy qeveritë tona kanë mundësi dhe potencial për të realizuar projektet, për këtë duhet të rrisim bashkëpunimin për më shumë barazi dhe mirëqenie ndërmjet dy vendeve”.

“Do të punojmë së bashku që tregu të jetë sa më unik që kapitali dhe mallrat të lëvizin sa më lirshëm. Biseduam edhe për avancimin e marrëveshjeve të deritanishme, biseduam edhe për mbledhjen e përbashkët e cila do të mbahet në gjysmën e dytë të muajit nëntor. Po ashtu, edhe për emërimin e një sekretariati për mbikëqyrjen e këtyre marrëveshjeve”, tha Kurti.

Kreu i ekzekutivit të Shqipërisë gjatë qëndrimit në Kosovë ka takuar edhe liderët e partive politike.

Krasniqi pas takimit me Ramën: I domosdoshëm thellimi i bashkëpunimit Kosovë – Shqipëri

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi gjatë takimit me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama ka shprehur vullnetin e tij të përhershëm të PDK-së, për të kultivuar raporte të afërta e miqësore me të gjitha institucionet e Shqipërisë.

Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi tha se PDK e vlerëson jashtëzakonisht të rëndësishëm thellimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë, për çfarë u pajtuan me Ramën për forcimin e mëtejmë të raporteve mes dy vendeve.

“Për këtë qëllim, konsideroj se mbledhja e përbashkët e qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, si format i iniciuar nga periudha e qeverisjes së PDK-së, duhet të vazhdojë e të zgjerojë temat e rëndësisë së përbashkët”, shkruan Krasniqi.

Abdixhiku: Raportet ndërshqiptare janë bazamenti i suksesit tonë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku pas takimit me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se raportet ndërshqiptare janë bazamenti i suksesit ndërmjet vendeve.

Abdixhiku përmes një shkrimi në Facebook është shprehur se kanë biseduar për proceset dhe gjendjes së tanishme në veri të Kosovës.

“Sot, me bashkëpunëtorë, në selinë e LDK-së, prita në takim Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Diskutuam mbi relacionet e dy vendeve; situatën e krijuar në veri; si dhe të ardhmen e përbashkët në familjen euro-atlantike. Kryeministrin Rama e falënderova për përkrahjen që po i jep Kosovës në proceset e rëndësishme. Po ashtu, nga ai, mora ftesë për një vizitë zyrtare në Shqipëri, të cilën do ta realizojë së shpejti. Raportet ndërshqiptare, janë bazamenti i suksesit tonë. Për këtë, unë dhe LDK jemi të përkushtuar pa hezitim”, ka njoftuar Abdixhiku.

Haradinaj: E mirëpres “Ballkanin e Hapur”, por pas njohjes nga Serbia

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka zhvilluar këtë të hënë një takim edhe me kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ky i fundit tha se me Ramën biseduan për situatën në veri dhe për hekurudhën Kosovë – Shqipëri, teksa tha se e përkrahë nismën “Open Ballkan” por pas njohjes nga Serbia.

Haradinaj në një prononcim për media pas takimit me kryeministrin Rama tha se vizita e këtij të fundit është e rëndësishme, marrë parasysh protestat e serbëve në veri të vendit kundër reciprocitetit në targa.

Ai tha se ka kërkuar nga Rama finalizimin e hekurudhës Kosovë – Shqipëri, e cila siç tha ai, është shumë e nevojshme për zhvillimin ekonomik dhe për sigurinë.

“Z. Edi Ramën e falënderova për ardhjen në Kosovë në një kohë që është e ndjeshme, ka shumë zhvillime në Kosovë dhe rajon. E shfrytëzova rastin me i diskutu edhe temat aktuale. Pos situatës në veri, vëmendje të veçantë i kam kushtuar hekurudhës për Shqipëri, Kosovë – Shqipëri, Hekurudha është shumë e nevojshme për temat ekonomike por edhe për ato të sigurisë në të ardhmen. Mendoj që është momenti i duhur që të veprohet në këtë drejtim”, tha ai.

Ndonëse tha se nuk biseduan për nismën “Open Ballkan”, Haradinaj tha se e përkrahë atë pas njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia.

“Nuk patëm rast me e diskutu këtë. Unë e pëlqej këtë idenë e ‘Ballkanit të hapur’, e mirëpres pas njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia, do të ishte diçka e mirë por vjen pas njohjes”, tha ai.

I pari i AAK-së nuk është përgjigjur në pyetjen e gazetarëve se a është ky takimi i parë me Edi Ramën, prej kur ky i fundit e pati paditë për shpifje.

Rama ka takuar edhe kryetarin e AKR-së, Behgjet Pacolli dhe kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.

Ndryshe, vizita e Ramës në Prishtinë shihet si shumë e rëndësishme, për shkak të situatës së fundit në Kosovë. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Lajme
Nënkryetarja e PE-së e thotë hapur se BE-ja gaboi me masat ndaj Kosovës, tregon pse po amnistohet Serbia

Nënkryetarja e PE-së e thotë hapur se BE-ja gaboi me masat ndaj Kosovës, tregon pse po amnistohet Serbia

Lajme
Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës,

Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës, "Octopus": Urgjentisht të koordinohen veprimet me ndërkombëtarët

Siguri
Tha se ditë të vështira e presin Serbinë, Vuçiq: Nesër ose pasnesër i merrni përgjigjet

Tha se ditë të vështira e presin Serbinë, Vuçiq: Nesër ose pasnesër i merrni përgjigjet

Lajme
Limaj: Nuk duhet të shkojmë në zgjedhje kur dëshiron Kurti

Limaj: Nuk duhet të shkojmë në zgjedhje kur dëshiron Kurti

Siguri
Kalo në kategori