LAJMI I FUNDIT:

Vizat dhe shtetrrethimi i vazhduar për kosovarët

Vizat dhe shtetrrethimi i vazhduar për kosovarët

Dikur, viteve të ‘80-ta dhe ‘90-ta të shekullit të kaluar, për shumë të rinj shqiptar, edhe për qytetarë të të gjitha moshave e gjinive në ish-Jugosllavi, burgosja përjetohej vetëm si një ndërrim vendi, pra si një kalim prej një burgu më të madh në një hapësirë më të vogël, diqysh si një kufizim i lirisë individuale, të lëvizjes. Kjo për shkak se shqiptarët, nga një pushtet i instaluar, i jashtëm, prej Serbisë, trajtoheshin si një i burgosur kolektiv.

Ndoshta dikujt ky krahasim me principin evropian të lëvizjes së lirë, dhe kufizimin e saj, do t’i duket i vrazhdë, por jo edhe për kosovarët, pasi krahasimi gjithnjë ka qenë dhe mbetet mënyrë e mirë me i pa ngjashmëritë dhe dallimet në mes të fenomeneve apo gjallesave, në natyrë dhe në shoqëri. Kur krahasojnë kosovarët sot, pozitën e tyre dhe të fqinjëve në raport me Evropën, atëherë për shumëkënd iluzioni shprishet. Na do apo nuk na do Evropa në radhët e veta? Përse vetëm për kosovarët të jetë ky një shteg i gjatë dhe i vështirë me pengesa të pakapërcyeshme?


Pas lufte në Kosovë, ky burgu i madh, së paku për kolektivin shumicë, është zhbërë, edhe pse një pakicë është futur pastaj në një vetizolim të tmerrshëm tash gati dy dekada, për të ruajtur institucionet e Serbisë në Kosovë, me shpresën se do të rikthehet e kaluara dhe se shumica prapë do të përjashtohet dhe izolohet. Kështu ata e mendojnë drejtësinë dhe vetëm kështu mund ta paramendojnë që Serbia mesjetare të ringjallet në Kosovë. Si do të kombinohet Serbia mesjetare dhe Evropa moderne, kjo është një pyetje e cila në praktikë po ndodhë, por në parim paraqet shkelje të gjitha parimeve evropiane.

Në një rreth më të gjerë, kjo pakicë e vetizoluar ende po e mban peng, përmes shtetit të Serbisë, shumicën kosovare, sidomos me rrethimin nga jashtë, indirekt, përmes institucioneve evropiane dhe të lobit serb atje, i cili fal mbështetjes së fuqive jashtë evropiane, kryesisht euroaziatike, po arrin të imponojë këtë shtetrrethim për kosovarët.

Dialogu i imponuar me Serbinë, në rrethana kur përmes shantazheve dhe bllokimeve Serbia po përpiqet të ndërrojë jo vetëm të tashmen e të ardhmen, por edhe të kaluarën, duke u hequr si viktimë, ka ndërtuar mekanizma të robërimit të përsëritur të kosovarëve, si liberalizimi i vizave dhe procesi i integrimeve evropiane, sa kjo në vend se të një ëndrre më se normale të një komuniteti evropian të mbetur jashtë, është shndërruar në një makth, në një kufizim të drejtave elementare dhe vlerave të proklamuara evropiane, për të vetmin komunitet të rrethuar nga të gjitha anët me vende dhe popuj të cilat për asgjë nuk e meritojnë më shumë të jenë të dalluar dhe të pranuar nga Evropa.

Është komedi e llojit të vet kur një vend i ndërtuar fund e krye nga evropianët, përfshirë këtu ligjet dhe klasën politike madje e cila është ngritur në pushtet dhe favorizuar pikërisht nga administrata ndërkombëtare dhe ajo evropiane, konsiderohet të jetë prapa në procesin e integrimeve me shtetin i cili u bombardua nga forcat e NATO-s, pra nga shumica e vendeve evropiane, me motivacion për të penguar një katastrofë humanitare të përmasave të gjenocidit. Kjo katastrofë e ndodhur humanitare, si pasojë e të cilës mbi një milion kosovarë u shpërndanë anembanë planetit, sot e kësaj dite minimizohet në përpjekje për të përfituar zyrtarët serbë që të largohen nga Rusia dhe të pranojnë Evropën, edhe pse në të gjitha anketat, qytetarët serbë në Serbi tregohen shumë më të interesuar për Euroazinë se sa BE-në.

Çka ndërtoi kështu bashkësia ndërkombëtare në Kosovë? Çfarë lloji institucionesh, ligjesh, dhe në fund të fundit çfarë drejtësie ndërtoi bashkësia ndërkombëtare dhe Bashkimi Evropian në Kosovë, sa që as vet nuk duan dhe munden të e pranojnë? Përse tmerrohet Evropa kur shikohet në pasqyrën e saj në Kosovë?

Sa ndikoi selektimi kadrovik, i mbikëqyrur nga bashkësia ndërkombëtare, që sot të kemi një administratë dhe një klasë politike skajshëm të korruptuar dhe jofunksionale?

Përsëri, edhe përkundër institucioneve të rendit dhe drejtësisë të krijuara krejtësisht nën mbikëqyrjen dhe drejtimin e Evropës, BE nuk u besoi këtyre strukturave të cilat vet i krijoi, por u desh që nën ndikimin e lobit serb dhe aleatëve jashtë Evrope të ngrihet një gjykatë speciale, për të gjykuar për krime të paragjykuara, dhe të satanizohet në përmasa ndërkombëtare një popull i cili me fajin e Evropës, edhe njëqind vjet më herët kishte mbetur koloni e Serbisë, edhe pse e njëjta asokohe kishte kryer krime monstruoze ndaj shqiptarëve. Por, asokohe, Evropa që nuk thirrej në parime dhe luftonte mes vete, ishte thjesht raport i forcave kur ata që e donin një Serbi të fuqishme ishin më të shumtë dhe më të fuqishëm sesa ata që i donin shqiptarët e lirë.

A është edhe tash politika parimore e Evropës e kushtëzuar nga fuqia, nga raporti i forcave? A është Evropa frymë apo thjeshtë administratë e pashpirt ku argat të lobeve të ndryshëm dominojnë mbi të tjerët? A është suspenduar turpshëm parimi i lëvizjes së lirë, i kosovarëve, vetëm për të përfituar vullnetin e Serbisë që të pranojë të jetë pjesë Evropës? A ka parime, apo ka vetëm fuqi, dhe interesa Evropa?

Kushtëzimi i lëvizjes së lirë, me bashkëpunim kolektiv, për të arritur marrëveshje të pafavorshme për një komunitet është turpi i Evropës së re e cila me politikën diskriminuese po u thotë shumë shqiptarëve që nuk janë të mirë se ardhur në Evropë dhe se për ta ka edhe alternativa të tjera: a duhet të pranojnë kosovarët çfarëdo kushti, sado i turpshëm dhe sado absurd që të jetë, vetëm që Serbia të pranojë të njoh ekzistencën tonë, apo duhet të insistojnë në parime dhe të vazhdojnë të mbahen të përjashtuar? A janë parimet, si ai i lëvizjes së lirë dhe të drejtave të tjera kolektive e individuale, mekanizëm robërimi apo çlirimi të popujve dhe individëve?

Është për të dyshuar kur një Evropë të tillë përplot liri dhe parime, e përfaqëson një ish-komuniste, proruse si Mogherini, apo një ish-fashist, tash përparimtar, si Vuçiqi, i cili ende mendon se Millosheviqi ishte një burrështetas i madh, e të mos flasim për modelin e politikanëve vendorë të përkrahur nga një pjesë e Evropës të cilët lan nam në përmasa ndërkombëtare për korrupsionin dhe keqqeverisjen, si dhe servilizmin, dhe të cilët sot e mbajnë peng të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës.