LAJMI I FUNDIT:

Vit i suksesshëm për turizmin banjarë në RMV, 80 mijë bujtje në Banjat e Dibrës Capa

Vit i suksesshëm për turizmin banjarë në RMV, 80 mijë bujtje në Banjat e Dibrës Capa
(Foto: BCNA)

Turizmi banjarë, i cili është shtylla kryesore e zhvillimit të komunës Dibër pas dëmeve që pati gjatë dy viteve të pandemisë, në vitin 2022 iu kthye sukseseve të mëparshme. Të dhënat të bordit drejtues të ndërmarrjes Banjat e Dibrës Capa thonë se gjatë vitit që kaloi numri i bujtjeve në të dy lokalitete banjare në Banjishtë dhe Kosovrast është mbi 80 mijë bujtje.

Investitori dhe drejtori gjeneral i Banjave të Dibrës Capa, Merxhit Capa për gazetën KOHA thotë se në vitin 2022 është rritur realizimi i planit vjetor. “Për 12 muaj të vitit të kaluar, kemi patur mbi 80 mijë bujtje, gjë që tregon qartë se kemi pasur një vit të suksesshëm në turizmin banjarë. Jemi të kënaqur nga numri i bujtjeve dhe mund të them se në krahasim me numrin e vogël të turistëve që kishim gjatë viteve 2020 dhe 2021, kur u regjistruan vetëm 23 mijë bujtje, për shkak të pandemisë, tani situata është stabilizuar”, thotë Mexhit Capa. Ai potencon se gjatë vitit që kaloi ka një rritje të mysafirëve si nga vendi ashtu edhe nga vendet e tjera të Evropës.


“Përveç mysafirëve nga shumë qytete të Maqedonisë së Veriut, kemi edhe rritje të mysafirëve nga Shqipëria, Kosova, Italia, Zvicra, Gjermania por edhe nga SHBA. Mes mysafirëve ka edhe shumë bashkatdhetar tanë që jetojnë në shtet të tjera të botës. Uji i banjave të Dibrës është një ndër ujërat me kualitet më të lartë në Evropë. Me investimet e shumta disa milionëshe në euro, pas vitit 2004 kur banjat e privatizuan, kemi kapacitete hotelerike me standarde të larta , kurse një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe personelit shëndetësorë. Në të dy lokalitetet banjare, ne i praktikojmë të gjithë terapitë e mundshme që realizohen me ekspert shëndetësorë”, thotë Capa dhe shton se çdo mysafir është i kënaqur nga tretmani dhe uji termal që është si në Banjishtë ashtu edhe në Kosovrast.

Një interes të veçantë gjatë vitit që kaloi kanë treguar edhe agjencitë e jashtme turistike për të sjell turistë në lokalitete banjare të Dibrës. Bordi drejtues i banjave vlerëson se ka mundësi që në kontinuitet të rritet numri i mysafirëve dhe turistëve meqë kur është në pyetje klienti nga vendi, në banjat respektohen rregullat e punës me fondin për shëndetësi, kurse turistët e jashtëm kanë marrë informata të shumta nga agjencitë turistike meqë bankat e Dibrës janë të njohura në Evropë.

Përveç rimëkëmbjes të turizmit banjarë, gjatë vitit 2022 në bordin drejtues të banjave të Dibrës Capa theksojnë se përveç investimit kapital që u bë në lokalitetin e Kosovrastit me hapjen të akua spa parkut më të madh në Ballkan i cili punon me ujin termal, kanë filluar investime kapitale edhe në lokalitetin e Banjishtit. Investimet në kapacitetet banjare do të vazhdojnë dhe përfundojnë gjatë këtij viti me çka banjat e Dibrës Capa do të kenë rritje të kapaciteteve hotelerike por edhe akomodime ekskluzive që deri tani kanë qenë të rralla edhe në Ballkan. Pushteti vendor në Dibër poashtu ka kontribuar në zhvillimin e turizmit banjarë duke ndërtuar rrugë atraktive në fshatin piktoresk të Banjishtit ku faktikisht gjenden edhe burimet termominerale të banjave të Dibrës Capa. /Koha/