OBRM-PDUKM: Keqmenaxhim në Komunën e Gostivarit, mbi 1.000 qytetarë me simptoma helmimi nga ndotja e ujit të pijshëm


Partia në pushtet OBRM-PDUKM ka akuzuar koalicionin lokal të LSDM-së, BDI-së dhe Aleancës për Shqiptarët të udhëhequr nga Arben Taravari për keqmenaxhim të Komunës së Gostivarit, duke pretenduar se paaftësia dhe amatorizmi në drejtimin e komunës kanë rrezikuar shëndetin e qytetarëve.
OBRM-PDUKM thekson se ekzistojnë dyshime të bazuara se autoritetet komunale kanë instaluar pompa në rrjetin e ujërave të zeza për të rritur presionin në sistemin e furnizimit me ujë, gjë që, sipas tyre, mund të ketë shkaktuar ndotjen e ujit të pijshëm.
OBRM-PDUKM pretendon se gjatë ditëve të fundit mbi 1.000 qytetarë të Gostivarit, përfshirë edhe fëmijë me simptoma helmimi, kanë kërkuar ndihmë mjekësore në spital, ndërsa dyshon se shkaku i këtyre rasteve lidhet me ndotjen e ujit të pijshëm.
Sipas partisë, kjo situatë dëshmon se koalicioni aktual që udhëheq komunën nuk ka kapacitet për të menaxhuar institucionin dhe për të garantuar shërbimet bazë për qytetarët.
“Kjo është fytyra e vërtetë e qeverisjes lokale në Gostivar. Në mënyrë joprofesionale, amatore dhe të paligjshme po kryhen aktivitetet për të cilat qytetarët i kanë zgjedhur. Lënia e qytetarëve pa të drejtën elementare për ujë të pijshëm të pastër dhe të sigurt është dëshmi se LSDM-ja, BDI-ja dhe Taravari nuk kanë kapacitet për të udhëhequr komunën”, thuhet në reagimin e OBRM-PDUKM-së.






































