LAJMI I FUNDIT:

Vettingu, përplas Blushin e Ballën

Vettingu, përplas Blushin e Ballën

Vendimi i tre ditëve më parë i Parlamentit për rikthimin e dosjeve të kandidatëve tek Avokati i Popullit ka qënë objekt debati mes kreut të LIBRA-s, Ben Blushi dhe deputetit socialist Taulant Balla.

Blushi akuzoi Kuvendin se me këtë vendim u bllokua procesi i vettingut, pasi pengesa procedurale duhet të ishin parashikuar më përpara. Përveç kësaj, për Blushin, Kuvendi doli jashtë afateve të përcaktuara në Kushtetutë.


“Unë thashë se Parlamenti nuk ka të drejtë të jap vendim që nuk e ka kompetencë. Nuk e ka. Ca thotë Kushtetuta, të ta lexoj? Brenda 3 ditëve nga marrja e listës së kandidatëve që plotësojnë kriteret formale, dhe që nuk i plotësojnë dhe atyre të rekomandimeve të ONM, Kuvendi krijon një komision ad hoc. Tani sipas këtij neni vendimi që morët është i rregullt apo i parregullt? Ku i jep Kushtetuta të drejtë këtij Parlamenti të ketë diskrecion, hapësirë për të zhvendosur një afat. Asnjë nen i Kushtetutës. Ky nen parashikon që përmes këtij komisioni, nëse komisioni bën katër vota, dhe nga pjesa gri e listës mund të futen te pjesa e bardhë, biles me 5 vota dhe nga lista e zezë, e atyre që nuk kualifikohen. Duhet t’i kishit parashikuar më përpara. Keni ardhur në këtë ditë që nga 22 korriku totalisht të papërgatitur. Opozita ka pjesën e vet po nuk dal këtu të merrem me ata që janë në çadër. Po flas se çfarë bëtë ju? Si e bllokuat procesin me një vendim absurd”, tha Blushi.

Por në përgjigje të Blushit, deputeti Taulant Balla tha se nuk ka afat për kandidaturat dhe se afat është 300 ditë nga dita e hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese.

“Afatin ti nuk e ke lexuar akoma, afati nuk është fare aty. Ne kemi një afat që është 300 ditë nga dita e hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese. Seancën e thirrëm për të iniciuar procesin. Nuk bëhej seancë e jashtëzakonshme apo normale përzgjedhja e kandidatëve”, deklaroi Balla. /TopChannel/Telegrafi/