LAJMI I FUNDIT:

Vetëvendosje kërkon Interpelancë ndaj Kryeministrit Isa Mustafa

Vetëvendosje kërkon Interpelancë ndaj Kryeministrit Isa Mustafa

Lëvizja Vetëvendosje e drejtuar nga ana e Visar Ymerit, ka kërkuar interpelancë parlamentare ndaj kryeministrit të vendit, Isa Mustafa.

Gazeta Blic ka arritur që ta sigurojë kërkesën e plotë të Lëvizjes Vetëvendosje, drejtuar kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.


Sipas kësaj kërkese, arsye e thirrjes së Kryeministrit Isa Mustafa në interpelancë ka të bëjë me ndërtimin e lagjes “Lugina e Diellit” dhe me situatën në pjesën veriore.

VV nga kjo Interpelancë po kërkon përgjegjësi nga kryeministri për gjendjen në atë pjesë të Kosovës.

Ja kërkesa:

Mocion për Interpelancë

Për: Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës
Nga: Ismajl Kurteshi – Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!
Lënda: Interpelancë me Kryeministrin e Qeverisë së Kosovës, z. Isa Mustafa
Data: 13 korrik 2016
Vendi: Prishtinë

Në bazë të nenit 65.9 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenit 44, paragrafi 1, të Rregullores së Punës së Kuvendit Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, thërret në Interpelancë Kryeministrin Isa Mustafa për çështjen në vijim:

Përgjegjësinë e Kryeministrit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për situatën aktuale politike në pjesën veriore të Republikës së Kosovës

A R S Y E T I M

Duke iu referuar në gërmë dhe në frymë, Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, po ashtu dhe Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat Civile e Politike dhe Protokollet e saj, Konventës për Eliminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit Racor, Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore dhe Protokollet e saj, Konventës Kornizë e Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare, si bazë e të drejtës lokale referuar Nenit 22 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe të drejtës ndërkombëtare në krijimin e një Republike të qytetarëve të barabartë, ku secilit/lës u garantohen të drejtat dhe liritë si dhe barazia para ligjit, gjendja në veriun e vendit e Republikës së Kosovës është jashtë çdo norme dhe të drejte të fituar ndërkombëtarisht nga shqiptarët e jo vetëm.

Strukturat ilegale të Serbisë veprojnë lirshëm dhe mbajnë nën uzurpim të gjithë jetën publike dhe private të banorëve me kombësi serbe, boshnjake dhe më së shumti të atyre me kombësi shqiptare të asaj zone duke pamundësuar në plotni të drejtën e fituar nga Neni 35 , pika 1, i Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Strukturat e Qeverisë së Serbisë dhe institucioneve të sigurisë në shpërfillje të plotë të Institucioneve të Kosovës po ashtu diktojnë jetën e përditshme, jetën politike e ekonomike në katër Komunat veriore. Këto janë të konkretizuara për të gjithë opinionin publik vendas dhe ndërkombëtarë gjatë kohës së fushatës së zgjedhjeve të Serbisë ku dhe këtë herë pamë se në çfarë gjendje janë këto katër komuna të Kosovës.

Ata kanë të shtrirë jashtëligjshëm atje, postën, bankën, telefoninë e deri te platformat e TV si dhe të gjitha shërbimet e tjera shtetërore të Serbisë. Si dhe edhe pse furnizohen me rrymë e me shërbime të ujit të pijshëm e kanalizimeve nga kompanitë e Republikës së Kosovës, pra të shtetit të tyre as nuk paguajnë e as nuk janë të regjistruar me kontrata si të gjitha qytetarët e tjerë. Këto shpenzime i paguajnë për ta, në fatura secili qytetar tjetër i Kosovës, pra në përgjithësi shqiptarët.

Krejt e kundërta ndodh me shqiptarët të cilët tashmë janë pakicë në këto komuna pas spastrimit etnik që ndodhi gjatë vitit 2000 ku mbi 11 mijë shqiptarë u përzunë nga shtëpitë e tyre dhe vetëm në netët e 3 dhe 4 shkurtit u ekzekutuan 10 shqiptarë brenda nëpër shtëpi, u plagosën me armë zjarri 25 të tjerë dhe u keqtrajtuar rëndë fizikisht 93 shqiptarë. Të njëjtën skemë spastrimi, shtëpi për shtëpi e ndoqën grupe të organizuara të Serbisë si ai “Rojat e Urës” në veri të vendit përgjatë muajve mars, prill, maj e qershor. Ku mes të tjerash ndodhi dhe masakra e 14 prillit 2000 në lagjen ‘Bair’ dhe ‘Qendra 1’ ku sipas dëshmitarëve u pushkatuan nga 31 shqiptarë.

Për 17 vite me radhë qindra shqiptarë nuk janë lejuar forcërisht, nga të njëjtët grupime ilegale dhe kriminale të mbështetura financiarisht dhe me armatim nga Qeveritë e Serbisë. Ende sot ky problem i kthimit të shqiptarëve të banesat e tyre, në pronat e tyre, nuk është zgjidhur, njëjtë si edhe për rindërtimin e shtëpive të djegura gjatë dhe pas luftës.

Teksa kjo situatë paraqitet çdo herë e më paadresuar, Qeveria e Kosovës keqadreson problemin e barrikadës në Urën e Ibrit dhe rrezikun për zhvendosjen e padrejtë të vijës administrative të Mitrovicës, përkatësisht për lagjen Suhodoll. Kjo nëpërmjet nënshkrimit me 25 gusht 2015 në Bruksel të Marrëveshjes për heqjen e barrikadës nga Ura e Mitrovicës.

Paralelisht më strategjitë plotësisht të gabuara të Qeverive të Kosovës, strategji të mbështetura me votë në Kuvend nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, është paralajmëruar nga autoritet e Serbisë se në territor të Republikës së Kosovës, midis Mitrovicës dhe Zveçanit po përgatiten të ndërtojnë një lagje të pastër etnikisht, që e kanë quajtur Lugina e Diellit.

Qytetarët e asaj zone dhe opozita ka njoftuar me kohë për këtë problem por Qeveria e Kosovës as nuk e ka trajtuar këtë problem.

Së fundmi, janë bërë publike qëndrimet e Kryeministrit të cilat e cilësojnë si të paligjshme ngritjen e një lagje të tillë në territorin e Kosovës nga ana e Serbisë. Por përkundër këtij qëndrimi, Ministrat nga minoriteti serb në Qeverinë Mustafa morën pjesë në inaugurimin e fillimit të punimeve në këtë territor dhe e përshëndetën iniciativën.

Po ashtu dhe qëndrimi zyrtar i Ministrisë së Mjedisit dhe planifikimit hapësinor saktëson paligjshmërinë e kësaj lagje kolonizuese . Në të thuhet se fillimi i ndërtimit të kësaj lagjeje nuk mund të bëhet pa leje ndërtimore të lëshuara nga organet komunale në bazë të Planit Zhvillimor Komunal dhe Hartës Zonale Komunale. Komunat në veriun e Kosovës, nuk disponojnë këto dokumente të Planifikimit Hapësinor Komunal të përcaktuara me Ligjin për Planifikimin Hapësinor NR 04/L-174.

Por përveç këtyre deklaratave Kryeministri ende nuk ka marrë masa ndaj ministrave si rrjedhim edhe Ministria e Pushtetit Lokal që duhet të merrte masa ndaj kryetarëve të Komunave që me iniciativat e tyre shkelin ligjin në vend të kundërshtimit dhe veprimit është orientuar nga mbështetja e nismave në kundërshtimin me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet e saj.

Por po ashtu nuk kemi të dhëna zyrtare nëse zyrtarët përgjegjës për kontrollin e territorit dhe ligjzbatimin të kenë inspektuar në vend situatën.

Në raportimet dhe deklarimet e shpeshta zyrtare dhe publike një nga të arriturat e Negociatave 2011 – 2015 me Kryeministrat e Serbisë përmendet çdo herë e më shumë zgjedhja sipas ligjeve të Kosovës të kryetarëve të Komunave të veriut të vendit dhe Këshillave Komunal si dhe zbatimi nga ana e tyre të normave dhe rregullave republikane të Kosovës.

Sigurisht që kjo as nuk është e vërtetë e as nuk pritet të jetësohet në këtë format që kanë zgjedhur deri më tash drejtuesit e Kosovës. Rasti me Luginën e Diellit na e konfirmoi katërcipërisht këtë.

Për të gjitha këto arsye të lartshënuara, Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, i propozon Kuvendit të Kosovës për miratim këtë mocion përmbajtësor:

Në mbështetje të Nenit 65.1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 6.1 të Rregullores së Punës së Kuvendit të Kosovës, Kuvendi i Republikës së Kosovës në seancën plenare të mbajtur më __________ 2016, miraton këtë:

R E Z O L U T Ë

1. Qeveria e Kosovës, Ministritë respektive, të nxjerrin vendimet dhe të veprojnë në terren për ndalimin e çdo veprimi lidhur me ndërtimin e një lagje kolonizuese, në veri të vendit.

2. Komisioni parlamentar për Bujqësi, Pylltari, Mjedis e Planifikim Hapësinor në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të plotësojnë me kuadër tjetër ligjor e normativ parandalimin e iniciativave të tilla me karakter të ndarjes etnike.

2. Ngarkohet Qeveria e Kosovës të hartojë menjëherë planin e masave dhe kalendarin për garantimin e kthimit të qytetarëve shqiptarë dhe rindërtimit të shtëpive të tyre në veri të vendit.

3. Kryeministri i Qeverisë së Kosovës t’i raportojë Kuvendit të Kosovës 60 ditë nga miratimi i kësaj rezolute për gjendjen dhe masat e marra nga Qeveria për kthimin e qytetarëve shqiptarë në pronat e tyre.

Në trend Lajme

Më shumë
25 vjet burgim për Enver Sekiraqën

25 vjet burgim për Enver Sekiraqën

Drejtësi
Dënohet me 24 vjet burgim prizrenasi, kishte dhunuar seksualisht dy vajza nën moshën 14-vjeçare

Dënohet me 24 vjet burgim prizrenasi, kishte dhunuar seksualisht dy vajza nën moshën 14-vjeçare

Drejtësi
“Sentinel Lymphnod Biopsy”, pajisje tjetër për SHSKUK nga fondacioni Jahjaga

“Sentinel Lymphnod Biopsy”, pajisje tjetër për SHSKUK nga fondacioni Jahjaga

Lajme
Hapet dyqani i parë social në Prishtinë, Rama: Qytetarët në nevojë mund të furnizohen çdo muaj falas me produkte ushqimore e higjienike

Hapet dyqani i parë social në Prishtinë, Rama: Qytetarët në nevojë mund të furnizohen çdo muaj falas me produkte ushqimore e higjienike

Prishtina
Rënia e Kosovës për 19 vende në indeksin e “Reporterëve Pa Kufij”, reagimet e ambasadës gjermane dhe amerikane

Rënia e Kosovës për 19 vende në indeksin e “Reporterëve Pa Kufij”, reagimet e ambasadës gjermane dhe amerikane

Lajme
Mediat në Ballkan, politika, ndikimi dhe sulmet ndaj gazetarëve “Reporterët Pa Kufij” japin alarmin e shqetësimin

Mediat në Ballkan, politika, ndikimi dhe sulmet ndaj gazetarëve “Reporterët Pa Kufij” japin alarmin e shqetësimin

Muhamet Hajrullahu
Kalo në kategori