LAJMI I FUNDIT:

Vetëdija antishqiptare e maqedonasve

Maqedonia aktualisht qeveriset nga relikti më tragjikomik i nacionalizmit sllavo-komunist në Ballkan, Nikolla Gruevski, në koalicion me partinë shqiptare të proveniencës së UÇK-së, BDI-në e Ali Ahmetit.

Ky shtet xhuxh, me ekonomi të pazhvilluar, i klasifikuar nga ekspertët ekonomikë si "banana republikë", ose "patlixhan shtet" dhe e vetmja në Evropë me probleme rreth emrit.


Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë, si quhet zyrtarisht (IRJM), ka probleme komplekse elementare edhe me identitetin kombëtar e shtetëror. Me Bullgarinë në lindje ka probleme rreth identitetit kombëtar maqedonas, të cilin nuk ia pranon ky shtet fqinj, duke i trajtuar maqedonasit si bullgarë e gjuhën e tyre si dialekt i bullgarishtes. Në jug Maqedonia kufizohet me Greqinë, e cila nuk ia njehë identitetin shtetëror, meqë emërtohet me të njëjtin emër si Greqia veriore. Andaj, udhëtari që kalon kufirin Maqedoni-Greqi në Gjevgjeli, habitet kur vëren se nga Maqedonia ka hyrë në "Maqedoni".
Për ta "zgjidhur" këtë problem identiteti kombëtar e shtetëror, Gruevski është duke e realizuar projektin megaloman "Shkupi 2014", duke ngritur kudo monumente gjigante për ta "dëshmuar" lashtësinë e këtij kombi dhe këtij shteti të krijuar nga Tito, për qëllime pragmatike politike të shtetit të Jugosllavisë.

Maqedonia në veri kufizohet me "vëllain" sllav, Serbinë, me të cilën ka probleme rreth identitetit fetar, lidhur me Manastirin Prohor Pçinjski që gjendet në territorin e Serbisë, e në të cilin janë vendosur themelet e shtetësisë së Maqedonisë (me mbajtjen e ASNOM-it në vitin 1943). Por, kjo kishë paraqet kishën kryesore maqedonase, e cila ka probleme me fitimin e autoqefalitetit (pavarësisë) kishtare nga kisha ortodokse serbe. Gjithashtu, Maqedonia edhe sot e kësaj dite nga qarqet ekstremiste serbe trajtohet si provincë e Serbisë, sidomos pjesa e saj veriore.

Në jugperëndim dhe në perëndim kufizohet me Shqipërinë dhe me Kosovën. Ndërsa, e tërë Maqedonia perëndimore është e banuar me shqiptarë, që nga Kumanova në veri, e deri tek Tetova, Gostivari, Manastiri, Struga dhe Ohri në jug, duke përfshirë mbi 35 për qind të territorit dhe të popullsisë së këtij shteti artificial.

Derisa ky shtet problematik ka probleme me të gjithë fqinjët, tani shtet donë t’i tregojë "muskujt" me Kosovën, duke dashur që t’ia imponojë mallrat e veta me kërcënim izolimi të shqiptarëve në të dy anët e kufirit. Ky akt i çmendur i ultrashovenistit Gruevski, më tepër se askush deri më tani i ka skalitur aq bindshëm fillimet e fundit të kësaj krijese artificiale në Ballkan. Sepse, eksportin marramendës të mallrave dhe produkteve maqedonase ky shtet karikaturë dëshiron t’ia imponojë Kosovës me kërcënim të izolimit të qarkullimit të shqiptarëve, duke e llogaritur veten Gruevski si mbret që "vret e pret" si t’ia dojë qejfi.

Kjo më tepër i referohet vetëdijes së retarduar politike të garniturës udhëheqëse të Maqedonisë nga koha e komunizmit, kur secili sulmonte dhe garonte në ndëshkimin e shqiptarëve në Serbi, Maqedoni, Kosovë e Mal të Zi.

Maqedonia mund të ketë "vetëdije të retarduar" edhe nga shkaku se mban në mend bllokadën që ia kishte vendosur Kosovës pas vitit 1999 dhe kishte krijuar kaos në Kosovë me mungesa të mëdha të artikujve më elementarë, si dhe të atyre strategjikë.

Por, tani nuk duhet harruar se shqiptarët ndërtuan Rrugën e Kombit dhe se Maqedonia nuk i ka mundësitë e dikurshme për ta bllokuar ekonominë kosovare. Rruga e Kombit do ta zëvendësojë automatikisht importimin transit të karburanteve, që përbëjnë rreth gjysmën e importeve nga Maqedonia. Kurse, sa i përket importimit të "specave e kastravecëve", shyqyr Zotit, këtë s’e kemi problem, sepse mundemi t’i prodhojmë vet ne shqiptarët.

Andaj, kryeneçësia e këtij shteti xhuxh, duket se do ta merr leksionin e merituar kësaj radhe nga shqiptarët në Ballkan.