LAJMI I FUNDIT:

Vespa Primavera në dispozicion edhe në versionin elektrik

Vespa Primavera në dispozicion edhe në versionin elektrik

Vespa ka qenë gjithmonë një koncept i elegancës dhe sharmit italian, dhe gjeneratat e reja të Vespa Primavera dhe Sprint, të cilat u prezantuan zyrtarisht në panairin e motoçikletave të këtij viti në Milano, nuk bëjnë përjashtim.

E lindur në vitin 1968, Vespa Primavera spikati me përmasa pak më të vogla dhe një siluetë më të ngushtë se Vespa e “zakonshme”, gjë që e bëri atë një mjet ideal transporti në qytet.


Vespa Primavera u ridizajnua për herë të parë në vitin 2013, dhe kjo është gjenerata e tretë e saj e përshtatur me trendet më të fundit, transmeton Telegrafi.

Kështu, përveç njësive të benzinës 50, 125 dhe 150 cc, tani ofrohet një version elektrik, shpejtësia maksimale e të cilit – sipas ligjeve italiane – do të kufizohet në 45 ose 75 km/h.

Bateria – e vendosur poshtë ulëses – mund të hiqet lehtë dhe të merret me vete, dhe pas katër orësh karikimi do të ketë një rreze prej 100 kilometrash.

Gjithashtu, instrumentet janë një kombinim i ekraneve klasike dhe TFT me diagonale 2.5 inç, ndërsa versioni Tech ka ekran TFT me ngjyra me diametër 5 inç.

Në variante më të mira, Vespa do të mund të lidhet me celularin përmes aplikacionit Vespa MIA.

Një përzgjedhje e madhe e kombinimeve të ngjyrave dhe grafikëve është një tjetër gjë që e ka karakterizuar gjithmonë Vespa-n, dhe gjenerata e fundit, e cila është në dispozicion në tetë ngjyra të ndryshme, nuk bën përjashtim.

Vespa Primavera dhe Sprint do të vijnë në treg në fillim të vitit të ardhshëm. /Telegrafi/