LAJMI I FUNDIT:

Veseli: Qeverisja e Nexhatit u ndërpre padrejtësisht, në Drenas kemi fitore

Veseli: Qeverisja e Nexhatit u ndërpre padrejtësisht, në Drenas kemi fitore

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, në tubimin përmbyllës të fushatës së PDK-së në Drenas, ka thënë se me qytetarët e Drenasit është ndjerë sikur në mesin e familjes së tij.

“Sikurse atëherë në ditët e vështira të luftës, edhe tash përsëri i gjeta të bashkuar, të fortë dhe krenarë me vendin e vet, krenarë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe me përkrahje të palëkundur për Partinë Demokratike të Kosovës”, u shpreh Veseli. “Qeverisja e Nexhatit u ndërpre padrejtësisht, por sot jemi sërish bashkë për të dëshmuar se nuk ka forcë që e ndalon Drenicën, që e ndalon Partinë Demokratike të Kosovës dhe vizionin e saj për zhvillimin dhe fuqizimin e shtetit të Kosovës.Në Drenicë dhe për Drenicën ka vetëm fitore!”, ka shtuar ai.


Lideri i PDK-së theksoi se Drenica ka qenë dhe do të mbetet dëshmia ma e fortë se aty ku fiton Partia Demokratike e Kosovës, aty fiton Kosova, fitojnë qytetarët dhe shteti i Kosovës.

Vesli ka thënë se në këtë sfidë elektorale kemi hyrë pa dëshirë.

“Por, do të dalim më të fortë prej saj me forcën tuaj, me vullnetin tuaj dhe me bashkimin tonë. Me një fitore të fuqishme të Partisë Demokratike të Kosovës më 4 dhjetor. Dhe me fitoren e Ramiz Lladrovcit fitojnë të gjithë qytetarët e Drenasit”, ka thënë Veseli. “Unë zotohem, sot këtu, para jush, se agjenda e zhvillimit ekonomik do të jete prioriteti im numër një i angazhimit tim në politikë”.

Ai ka kërkuar që më 4 dhjetor të dëshmohet qytetaria e votës së lirë e demokratike, duke e votuar me festë kandidatin e PDK-së, të ardhur nga familja emblemë e Kosovës, “siç është familja e heroit të kombit Fehmi Lladrovci”.

Duke kërkuar nga qytetarët që të dalin masivisht në zgjedhje, Veseli ka thënë se “4 dhjetori dhe fitorja e madhe e PDK-së në Drenas do të jetë shembulli më i mirë i përgjigjes për të gjithë”.