LAJMI I FUNDIT:

Veseli: Mitrovica ka ngecur qe katër vite, PDK do të punojë për zhvillimin e saj

Veseli: Mitrovica ka ngecur qe katër vite, PDK do të punojë për zhvillimin e saj

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli dhe kandidatja për kryetare të komunës së Mitrovicës nga radhët e kësaj partie, Valdete Idrizi, kanë vizituar sot përfaqësuesit e shoqatave të dala të luftës në Mitrovicë, për t’u njohur nga afër me problemet dhe vështirësitë me të cilat ballafaqohen ata.

Ai theksoi se askush tjetër nuk mund të bëjë më shumë për këtë kategori se sa PDK-ja. Sipas tij, përkundër punës së madhe që është bërë këtu, mbetet akoma shumë për t’u bërë në të ardhmen.


“Asnjë tjetër s’mund të bëjë më shumë se sa PDK-ja, as tash në këtë moment. Nuk mundet sepse s’ka mundësi me bë. Jam shumë i drejtpërdrejtë. S’ka potencial ta bëjë. Munden me ju dhënë fjalë më të mira, më të ëmbla. Të bardha janë kripa dhe sheqeri, por të ëmbla të dyja nuk janë, dhe këtu duhet me bë dallimin. Dikush mund të jetë më i mirë me fjalë, por po ju siguroj se Valdete Idrizi ka me qenë më e mirë me punë, më afër dhe më pranë jush. Do të fillojmë të bëjmë hapat e parë, te kategoria e dëshmorëve dhe invalidëve të luftës, mos me i lënë anash as veteranët, sepse një pjesë e madhe e tyre janë në situatë të rëndë”, ka thënë Veseli.

Kandidatja për kryetare të Mitrovicës, Valdete Idrizi, ka premtuar se këto kategori do të jenë prioritet në programin e saj qeverisës.

“Sot që po flasim sidomos për këto kategori, do të jenë prioritete në programin tim qeverisës. Prej fillimit e kam thënë se qeverisja jonë do të jetë më ndryshe, do të jetë një qeverisje e përgjegjshme, e hapur, që do ta respektojë ligjin…Kemi me pas ekipin më profesionist, që ka me ditë për secilën kategori se si me u marr me te, si me i trajtuar dhe adresuar kërkesat dhe nevojat e tyre. Kjo është mënyra e vetme që ne Mitrovicës me ia kthye dinjitetin që i ka munguar sidomos këto vitet e fundit”, tha ajo.

Ndërsa, Rafet Ibishi, kryetar i OVL-së të UÇK-së në Mitrovicë, ka bërë të ditur se ADN-ja e organizatave të OVL-së është PDK-ja dhe se pjesëtarët e këtyre organizatave do ta mbështesin fuqishëm këtë parti dhe kandidaten e saj në zgjedhjet e 22 tetorit.

“Për neve Partia Demokratike është familja jonë…Edhe mos të ishte Valdetja, ne kemi obligim moral me përkrah çdoherë Partinë Demokratike”, theksoi Ibishi.

Në anën tjetër, ministri i Financave, Bedri Hamza, duke bërë të ditur se sa e rëndësishme është përkrahja e nivelit qendror për komunat, tha se kandidatja për kryetare të Mitrovicës, Valdete Idrizi, ka një përparësi të madhe, ngase ka në mbështetje kryeparlamentarin Veseli.

“Në Mitrovicë, por edhe kudo në Kosovë, po që se ka përkrahjen e nivelit qendror, kushdo ne ta qeverisë, në mënyrën më të mirën ne ta qeverisë, nuk ka kapacitete ekonomike për të bërë zhvillim ekonomik. Kryetarja e ka një përparësi jashtëzakonisht të madhe, sepse e ka në mbështetje kryetarin e Kuvendit, dhe unë si ministër i Financave duhet me ju dalë në mbështetje këtyre, me i evidentuar këta çka premtojnë dhe unë këto premtime me i kthyer në numra, vlera dhe për të reflektuar në buxhet”, tha Hamza.

I pyetur nga KosovaPress për vizitat e shpeshta të kryetarit të Kuvendit pikërisht në Mitrovicë, Veseli ka pranuar se ky qytet është më i veçantë për të dhe i rëndësishëm në aspektin politik dhe strategjik.

“Mitrovica është më e veçantë për mua, në radhë të parë është vendlindja ime, këtu më rri shpirti. Në aspektin politik dhe strategjik Mitrovica është shumë e veçantë për Republikën e Kosovës. Ky do të jetë edhe orientimi im dhe i PDK-së. Ka nevojë ky qytet për një shtytje të fuqishme të zhvillimit dhe transformimit. Duhet të pranojmë faktin se që katër vite ka ngec…Në të njëjtën kohë duhet të orientohemi nga pjesa që është strategjike. Mitrovica është një, të punojmë të gjithë bashkërisht pa politizime, në integrimin e të gjitha komuniteteve, ta kemi një qytet të përbashkët siç ka qenë dhe do të jetë gjithmonë Mitrovica jonë e bashkuar”, ka thënë ai.

Veseli u shpreh i sigurt në fitoren e PDK-së në këtë qytet në zgjedhjet lokale të 22 tetorit.

Ndryshe, kreu i PDK-së Kadri Veseli gjatë ditës ka vizituar edhe disa biznese të vogla në qytetin e Mitrovicës dhe ka takuar shumë qytetarë nëpër rrugë. /Telegrafi/