LAJMI I FUNDIT:

Veneto voton për autonomi, Roma e gatshme për negociata

Veneto voton për autonomi, Roma e gatshme për negociata

Rajoni italian i Venetos përreth Venecias zgjodhi autonominë.

Pjesëmarrja ishte në nivelin 60% dhe guvernatori i tij, Luca Zaia është i kënaqur me rezultatin e votimit, i cili e kapërceu 50% e nevojshëm që referendumi të konsiderohej i vlefshshëm. Më pak të interesuar u shfaqën votuesit në Lombardi, ku pjesëmarrja nuk shkoi më shumë se 40%.


Por, këtu nuk parashikohej sidoqoftë kuorumi dhe lideri legist Roberto Maroni e kishte bërë të qartë që përpara se do të kënaqej dhe me një kuotë më të lartë se 34%.

Lombardia nuk ka arritur ta nxjerrë ende një rezultat zyrtar të votimeve. Ankesat për këtë vonesë lidhen me mungesën e efikasitetit të sistemit; faji i faturohet mbledhjes së të dhënave nga “voting machine”, të përdorura në rajon për herë të parë.

Në të dy rastet, megjithatë, përfundimi është pak a shumë siç parashikohej dhe sinjali politik u dërgua: niveli i pjesëmarrjes është më i lartë nga sa pritej e nga sa parashikohej deri në momentet e fundit përpara votimit.

Ky sinjal nuk ra në vesh të shurdhër: Roma zyrtare reagoi përmes zv/sekretarit të çështjeve rajonale, Gianclaudio Bressa, i cili një orë përpara mbylljes së qendrave të votimit deklaroi se ekzekutivi italian është i gatshëm për negociata, transmeton tch.

Modeli do të jetë, sipas gjasave, ai i eksperimentuar me Emilia Romanjën, që e kishte zgjidhur sidoqoftë ngërçin me qeverinë qendrore pa kaluar në referendum.

Votimet u organizuan nga Maroni dhe Zaia, të cilët ankohen se veriu po paguan edhe për jugun e varfër të vendit e duan më shumë fuqi mbi taksat.